Një mjet me flamur shqiptar është përplasur mbrëmjen e të djelës së 1 shtatorit me disa shkëmbinj brenda shpellës së Haxhi Alisë në Karaburun, duke u çarë.
Rast të cilin Drejtoria e Përgjithshme Detare, e ka shfrytëzuar për propagandë edhe pse nuk luajti asnjë rol në shpëtimin e personave. Në ndihmë të tyre shkuan Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Policia Kufitare.
Në njoftimin i cili i është dërguar zyrtarisht redaksive dhe është publikuar edhe në faqen zyrtare të “Facebook”-ut, Drejtoria e Përgjithshme Detare nuk humbet rast pa sulmuar qytetarët shqiptarë të cilët janë ankuar këtë sezon veror se autoritetet shqiptare u përgjigjen në kohë vetëm turistëve. Madje i quan këta qytetarë “nihilistë”.
“Nje falenderim per QNOD qe njoftoi ne kohe rekord, nje falenderim per policinë kufitare qe me shpejtesi ju shkoi ne ndihmë, dhe nje falenderim per Kapitenerine e Portit Vlore qe dha njoftim per mjetet e tjera qe ishin afer zones dhe tu vinin ne ndihme shtetasve Shqiptare qe rrezikuan jeten.
Dhe nje kujtese nihilisteve dhe atyre qe hedhin baltë, komentonin e akuzonin me rastin e turisteve hollandeze se institucionet Shqiptare nuk bejne dallim kur behet fjale per jete njerzish.”, thuhet në njoftim.
Ky institucion i referohet rastit të shpëtimit të dy turistëve holandezë në ditët e fundit të gushtit, që u shpëtuan nga autoritetet portuale në Durrës, pasi motori i velierës së tyre kishte pësuar defekt. Nëse ky institucion donte të rregullonte imazhin e përbaltur, mund ta bënte këtë pa kaluar në “fyerje zyrtare” ndaj qytetarëve. Deklarata fyese nga politikanët shqiptarë nuk janë një gjë e re, por kur një institucion del zyrtarisht të fyejë qytetarët, këtë nuk e kishim parë./Hashtag.al