Ndërkohë që gjithë bota po shqetësohet për zjarret në Amazonë, aktualisht në Afrikë ka më shumë zjarre dhe po digjet një hapësirë shumë herë më e gjërë.
Javën e kaluar, NASA publikoi pamjet satelitore me të dhënat për zjarret në të gjithë botën, ku tregohej se kishte të paktën 6.902 zjarre në Angola dhe 3.395 të tjera në Republikën Demokratike të Kongos.
Të dhëna jepen edhe për zjarret në Brazil, që sipas NASA-s ka 2,127, siç shkruan “Independent“.
Rritja e zjarreve në pyjet e Amazonës këtë vit ka shkaktuar treagime në të gjithë botën, me presidentin francez Emmanuel Macron që e futi në axhendën e samitit të G7-ës në moment të fundit dhe me artistë të famshëm që bëjnë thirrje për të shpëtuar “mushkërinë e planetit”.
Por zjarret në Afrikë kanë një shtrirje shumë më të gjerë e megjithatë mediat e rëndësishme ndërkombëtare nuk po raportojnë për to. E as nuk ka nisur ndonjë fushatë për shpëtimin e Afrikës apo për largimin e liderëve atje, siç po bëhet në Brazil. Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro thotë se e gjithë kjo vëmendje e ngritur për zjarret, po bëhet për të prishur reputacionin e tij dhe për ta larguar nga detyra para kohe.