Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja në urgjencën e Fierit, Aleksandër Zhapaj transportohet në Tiranë


Aleksandër Zhapaj, i cili u plagos para pak ditësh me armë në urgjencën e spitalit të Fierit, është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 31 gusht në Levan të Fierit, ku sipas policisë kishte ndodhur një përplasje mes dy familjeve nga e cila kishin mbetur të plagosur katër persona.

Por konflikti vijoi edhe në urgjencë ku Aleksandër Zhapaj kishte shkuar për të takuar djemtë e tij Gentian Zhapaj dhe Aldi Zhapaj, të cilët ishin të plagosur.

Një prej autorëve dyshohet se i ka marrë armët një efektivi të policisë dhe ka qëlluar Zhapajn me të. Ai dyshohet se është D. Brace.

Ish-kryeministri Sali Berisha pas ngjarjes së rëndë, përmes disa postimeve të njëpasnjëshme, ka denoncuar përfshirjen në krim të Ledian Ruçit dhe Eqerem Braçes, djalit dhe nipit të Gramoz Ruçit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Të përmbledhura në pak rreshta, denoncimet e Berishës thonë që “djali dhe nipi i Gramoz Ruçit kanë qëlluar qytetarë dhe kanë përgjakur spitalin e Fierit. Gjatë ngjarjes ka qëlluar edhe djali i Ruçit, Lediani. Të gjitha janë filmuar nga kamerat e urgjencës por policia dhe zëvendësministri i Brendshëm po manipulojnë provat. Policia ka zhdukur edhe pistoletën e Ledjan Ruçit. Kamerat e urgjencës po prishen nga një njeri i besuar që ka çuar Armando Subashi, kryetari i Bashkisë së Fierit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *