Pasi humbi zgjedhjet presidenciale në gusht, ish-zonja e parë e Guatemalës, Sandra Torres, është arrestuar nga autoritetet.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm thotë se Torres, ka thyer rregullat për financimin e fushatës nga një shoqëri e paligjshme.
“BBC” shkruan se ajo u arrestua të hënën në mëngjes në shtëpinë e saj afër qytetit të Guatemalës. Arrestimin e saj Torres e përshkroi si një gjueti shtrigash politike.
Sandra Torres ka qenë e martuar me ish-presidentin e Guatemalës Alvar Colom, i cili e ka mbajtur këtë post nga viti 2008 deri në 2012-ën. Por ata u ndanë në vitin 2011.
Torres humbi zgjedhjet përballë kandidatit Alejandro Giamatei muajin e kaluar. Edhe në fillim të fushatës, kishte akuza se dhurimet për partinë e saj ‘Uniteti për Shpresë’ nuk ishin regjistruar siç duhet dhe se disa fonde publike po transferoheshin për fushatën e saj presidenciale. Zonja Torres ka kandiduar tre herë për presidencën por asnjëherë nuk ka fituar.