Vendosni fjalën kyçe....

Masakra në spitalin e Fierit/ Drejtoresha-kryepolicit: Andon mos më merr në qafë…


Ndërsa policia dhe prokuroria po kujdesen maksimalisht për të shpëtuar nga përgjegjësia një emër, jo dosido, por atë të kushëririt të kryeparlametarit Gramoz Ruçi, shumë të vërteta do mbesin enigmë.

I dyshuari kryesor i plagosjes me armë brenda spitalit, madje me pistoletën e një polici që ia mori nga brezi si “pa dashjen” e efektivit, është Eqerem Braçe.

Bilanci tashmë dihet me tre të plagosur me armë dhe dy të tjerë me mjete të forta. Pavarësisht kujdesit të strukturave shtetërore për të nxjerrë qelibar Braçen e Fierit, “Boldnews.al” ka mësuar të tjera detaje domethënëse pas ngjarjes.

Kreu i policisë së Fierit Andon Marko menjëherë pas ngjarjes ka takuar drejtoreshën e spitalit Nevila Shuken dhe i ka kërkuar të shohë kamerat dhe serverin.

Nga dëshmitarë okular mësohet se mes tyre në korridor ka pasur një bisedë të shkurtër dhe kur kryepolici i ka kërkuar drejtoreshës ta shoqërojë në dhomën e serverit ajo i është kthyer: Andon mos me merr në qafë…

Sot po del se kamerat nuk kanë qenë funksionale por gjithçka mund të ketë zanafillën në pesë minuta punë në serverin e tyre qëndror. Pamjet mendohet se janë zhdukur për një qëllim “madhor” për të varrosur të vërtetën. Eqerem Braçe është person me precedentë të shumtë penal, por për shkak të lidhjeve me drejtues të PS-së ai ka mundur të fitojë lirinë pa e humbur asnjë ditë.

Në fillim, Braçe është gjendur fajtor për falsifikim dokumetash në kohën kur ishte nënkryetar komune në rrethin Fier. Dënimi ka qenë me kusht, por Braçe nuk hoqi dorë nga zakoni i vjetër, akuzohet për dy plagosje po me armë por drejtësia ishte kokëulur para tij. Burg me sy nuk pa, madje hetimet kanë qenë në gjendje të lirë.

Për disa muaj u bë i madh edhe në Tiranë, në krye të Ujësjellës-Kanalizimeve, por jep dorëheqjen pas denoncimit të PD-së. Kjo është e treta herë që Braçja i Fierit zyrtarisht përfshihet në konflikte me armë. Vetë policia ka qenë konfuze në dhënien e informacionit.

Në njoftimin e parë ajo shprehej se ka arrestuar Eqerem Braçen, bashkë me personin tjetër D.B për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, por vetëm pak orë më vonë policia e fshin nga njoftimi, duke e lënë të lirë.

Tashmë e verteta duhet të jetë ashtu sikurse e thotë pushteti, jo sikurse është realiteti. Gjithçka gjendej në pamjet e kamerave të sigurisë së spitalit, por në këtë rast vlen shprehja e drejtoreshës: Andon mos më merr në qafë…

Megjithatë Andonët e policisë janë “betuar” që të zbatojnë “ligjin e partisë” me përpikmëri.

Vini Re: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Boldnews.al”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *