Vendosni fjalën kyçe....

Murrizi del për të kërkuar falje por bën gafën e radhës (VIDEO)


Deputeti Myslim Murrizi ka dalë sot në një deklaratë për mediat, për të kërkuar falje për fjalorin e përdorur ndaj një ndjekësi të tij në “Facebook”, të cilin e quajti “down”.

Por ai gjatë ndjesës së tij ka bërë gafën e radhës, duke përdorur fjalën “autik”. 

Në një kritikë për Avokaten e Popullit, Murrizi kujtoi rastet e politikanëve të tjerë si ai, që kishin lëshuar të njëjtat gafa. A ishte e nevojshme që ai ta përdorte termin “autik” përsëri? Edhe pse duke iu referuar politikanëve të tjerë? Përpos kësaj, Murrizi ofendon edhe Avokaten e Popullit duke e quajtur “pjeshkëz”.

“Që të mos përdoresh si pjeshkëz e shtrydhur nga padrinët duhet të kishe folur edhe për politikanët vipa, që në televizor në foltore të Kuvendit, në daljet publike përpara jush media të nderuar, nuk kanë lënë grup shoqëror e social pa ofenduar, duke përdorur publikisht dhe jo në Facebook-un privat si në rastin tim, terma si: Hajdut psikik, qorr, plak autik, handikapat… e deri tek fjalor ordiner që ndyn çdo familje shqiptare nëpërmjet kanalit televiziv. I kërkoj ndjesë shoqatës së fermerëve nëse i kam ofenduar edhe ata, duke i thënë avokates së popullit pjeshkëz”, tha Murrizi.

Kujtojmë se ditën e djeshme dhjetëra anëtarë të shoqatës ‘Down Syndrome Albania’ si dhe qytetarë të tjerë, protestuan dje me nisjen e Parlamentit, kundër deputetit Myslim Murrizi, për shkak të ofendimit që ai i bëri një ndjekësi në faqen e tij në Facebook duke e quajtur ‘down’.

E gjitha nisi pas një debati të Murrizit në rrjetet sociale me një ndjekës. Komentuesi e kritikonte Murrizin për idetë e tij, por pa përdorur asnjë fjalë fyese.

Murrizi iu kthye atij: “Më vjen për të vjellë kur shoh që një down komenton në ‘Facebook’-un tim”.

Gafat e radhës të Murrizit vijnë fiks një ditë pas gafës së deputetet tjetër Rudina Hajdari, e cila tha në foltoren e Parlamentit “Do përçajmë Shqipërinë”. Kujtojmë se edhe deputeti Alket Hyseni, vitin e shkuar përdori gjuhë fyese ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.

Hyseni teksa sulmonte ish-kryeministrin Berisha, e fyeu atë me fjalën “autik” gjë që shkaktoi një reagim të ashpër nga shumë persona, të cilët e masakruan deputetin në statusin e tij për termin që fyen të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjarët e tyre, për sfidën e përditshme me të cilën përballen./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *