Sot u mblodh Komisioni i Ekonomisë, i cili mori në shqyrtim katër dekretet e para të kthyer nga presidenti Ilir Meta në Kuvend.
Por socialistët e hodhën poshtë dekretin e presidentit për ligjin për privatizimet.
Deputetet e rinj që i janë bashkuar Kuvendit pas djegies së mandateve nga opozita, votuan pro dekretit të presidentit, mirëpo grupi socialist më i shumtë në numër e hodhi poshtë duke ia çuar Kuvendit për shqyrtim.
Bëhet fjale për ligjin “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”.
Presidenti Meta e ktheu atë në Kuvend, duke thënë se në përfundim të shqyrtimit të ligjit vlerëson se “se ky ligj, i paraqitur për shpallje, është një nisëm ligjore e nxituar, jo e plotë dhe fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me kuadrin ligjor aktual në fuqi.”