Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Sa u dolën aferat për koncensionet e rrugëve, socialistët nxituan t’i rrëzonin Metës dekretet


Në një deklaratë për mediat para selisë blu, kryetari i Partisë Demokratike foli shumë shkurt për aksionin opozitar duke premtuar se do të ketë protesta të fuqishme dhe u përqendrua në dy koncensione rrugësh. Atë për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre dhe Vlorë-Orikum.

Basha thotë se sa u dolën aferat korruptive për këto koncensione, maxhoranca nxitoi të rrëzonte dekretet e presidentit Ilir Meta, që synonin pengimin e tyre.

“Protestat do të bëhen  gjithmonë e më të fuqishme.  Ka disa çështje të mprehta që dua t’i sjell në vëmendjen tuaj.

Skandali që ka plasur me dy koncesionet e hajdutërisë të ashtuquajtura PPP të Milot – Balldre dhe Vlorë – Orikum, kërkon vëmendjen maksimale të mundshme edhe nga ju si gazetarë.

Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive.

Tek Milot – Balldre duan të bëjnë shqiptarët të paguajnë një çmim deri në 5 herë më të lartë se çmimi real.

Të vjedhin me një të rënë të lapsit, me një firmë, 200 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë.

Një shumë jo e vogël planifikohet të vidhet me Vlorë – Orikum.

Ka një analizë të plotë të dëmit ekonomik që i sjell buxhetit të shtetit, pra, parave të shqiptarëve dhe në momentin që është bërë kjo analizë, siç e keni e parë është përshpejtuar procesi i rrëzimit të dekreteve të Presidentit Meta dhe futja e përshpejtuar e këtyre dy koncesione për t’i rimiratuar në atë që tashmë është fare e qartë, noteri i hajdutërisë, Landfilli i Republikës.

Ky nuk heq dorë nga grabitja dhe vjedhja, nuk ka plan tjetër, as ky njeri, as kupola e tij, përveç vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve. S’ka asnjë politikë, nuk ofron asgjë tjetër përveçse të vjedhë sa të mundet, deri në çastin e fundit që është aty.

E dyta, që është fare e qartë, është se kjo ndërtesa që ndodhet prapa selisë tonë, që duhet të ishte vendi ku kontrollohet, frenohet dhe kufizohet pushteti, është kthyer në një noter të hajdutërisë. Kësaj shqiptarët i thonë me një metaforë “vjedhje me ligj”, ligji po bëhet për të vjedhur, po bëhet që ata që kanë firmosur këtë vjedhje të mos shkojnë para drejtësisë, të mos shkojnë në burg. Siç do të shkonin në çdo vend tjetër normal. Kjo vërteton atë që kemi thënë prej kohësh që me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë as zhvillim, as mirëqenie, as punësim, por do të ketë vetëm vjedhje dhe grabitje.”, tha Basha.

Ditën e djeshme, Komisioni i Ekonomisë rrëzoi disa dekrete të presidentit, mes tyre dekreti që kthente në Kuvend ligjin “Për koncensionet dhe PPP-të”.

Meta nuk bie dakord me dy nene të ligjit, që sipas tij është e nevojshme të rishikohen pasi krijojnë hapësira për prodhimin e pasojave dhe qëllime klienteliste.

Ai akuzon ish-ministrin Arben Ahmetajn, se ka ndryshuar dy nenet, 17-18, me qëllimin për t’i hapur rrugë kompanive të lidhura me qeverinë që koncensionet të aplikohen pa kufizim edhe për 3 muaj të tjerë.

Sipas Metës, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore pas datës 1 tetor 2019, ka rrezik për cenim të interesit publik, por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *