Në një intervistë për revistën “Cosmopolitan”, artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha,ka folur për ngacmimet seksuale që ka përjetuar në fazën e hershme të karrierës së saj.
Një rast bëri që Bebe të largohet nga një studio.
“Kur arrita për herë të parë në LA, punova me një producent shumë të madh. Ai më vendosi në një dhomë me shumë kantautorë dhe muzikantë të tjerë që të gjithë dukeshin të droguar. Ishte një producent tjetër që hynte në studio dhe më masazhonte këmbët. Një herë ai u përpoq të shkonte më lart mbi gjunjë dhe po bëhej disi i ashpër, kështu që i tërhoqa këmbët. Ai tha, jo, unë do të bëj atë që dua. Por unë isha rritur që të mos lejoja njeri të më prekë trupin në rast se unë s’dua.”, tha Bebe.
Artistja shqiptare përmendi edhe një tjetër incident, që e cilësoi si “natën më të frikshme” që ka përjetuar e vetme në një studio me disa burra.
“Një natë unë isha vetëm në studio dhe një producent tjetër kishte një grup prej pesë ose gjashtë djemsh. Unë kisha dëgjuar gjëra rreth tij nga e kaluara dhe thjesht nuk mund ta përballoja më. Ndihesha sikur do të përdhunohesha. Në heshtje thirra një taksi nga kabina e regjistrimit, e cila ishte e mbyllur dhe dola prej atje. Ishte nata më e keqe që kisha kaluar ndonjëherë”, vazhdoi artistja me origjinë shqiptare.
Kjo ishte intervista e parë ku Bebe Rexha ka rrëfyer kaq shumë gjëra që deri më tani i kishte mbajtur për vete.
Bebe thotë se producenti në fjalë është shumë i famshëm dhe ish-menaxherët e mëparshëm e kishin këshilluar të punonte me të në mënyrë që të mund të realizonte një hit dhe të fitonte famë.