Vendosni fjalën kyçe....

Hajdarmataj tregon takimin me “dëshmitarin x”: Më tregoi për vëllain e ministrit të Brendshëm, thirra SHISH-in


Në seancën e mbajtur sot për çështjen “Babale”, ka dëshmuar dhe ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.Hajdarmataj ka treguar për takimin e tij me Alfred Veliun, të njohur ndryshe edhe si “Dëshmitari X”.

Hajdarmataj thotë se Veliu i ka shkuar në zyrë për ta takuar dhe i ka thënë se është në dijeni për një rrjet të trafikut të drogës, ku ishte i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm.

“Babalen e kam takuar në muajin nëntor, 2017 në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë për Krime. Jam telefonuar nga recepsioni që një person kërkonte të më takonte se kishte diçka të rëndësishme. E prita në zyre dhe më tha që kam dijeni për një trafik të mundshëm ku sipas tij ishin të përfshirë policë dhe vëllai i ministrit të brendshëm. E pyeta për personalitetin dhe me rezultonte i dënuar në Itali. Këtu e kam ndërprerë bisedën me të. Kam lënë takim me një nga drejtuesit e SHISH që mbulonte çështjet e trafikut. I thamë të vinte sërish”, tha Hajdarmataj.

Prokurori Hajdarmataj, i cili u shkarkua vitin e kaluar për t’i lënë detyrën Donika Prelës, shtoi se për shkak se Veliu fliste për implikim të policisë në këtë rrjet, kishte vendosur të thërrishte Shërbimin Informativ.

 “Të nesërmen në zyrë erdhi një nga drejtuesit e SHISH dhe i shpjegova situatën. U kërkova ta trajtonin ata si informator. Sepse mua s’më prezantoi të dhëna konkrete apo prova. Pse unë kërkova SHISH? Lidhej me faktin që personi fliste për implikim të policisë. SHISH ishte i vetmi që na kishte informuar për rastet e kultivimit të drogës. Me Alfred Veliun s’kam pasur më asnjë kontakt”, janë fjalët e Hajdarmatajt.

Kujtojmë se përgjimet e publikuara nga gazetari Olldashi shkaktuan shumë bujë saqë sollën ekspozimin e Agron Xhafajt, vëllain e ministrit të Brendshëm të asokohe Fatmir Xhafaj. Ky i fundit u detyrua ta shiste të vëllanë për të shpëtuar postin e tij si ministër, duke e dërguar në Itali për të kryer një dënim nga i cili shmangej prej vitesh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *