Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, ka deklaruar se aksioni i opozitës do të vazhdojë, pas përfundimit të takimit me Lulzim Bashën në selinë blu.
“Aksioni do të vazhdojë ashtu siç është, i drejtpërdrejtë”, tha Kryemadhi, pa dhënë shumë detaje për mënyrën se si do organizohet ky aksion.
Edhe pse u pyet lidhur me protestat e paralajmëruara disa herë nga opozita, Kryemadhi tha vetëm se “E rëndësishme është se ata bëjnë protestë çdo ditë”.
“Për LSI aksioni opozitar është i rëndësishëm. Kjo ka të bëjë edhe me 15-vjetorin e LSI. Aksioni do të vazhdojë ashtu siç është, i drejtpërdrejtë, evidentues dhe për të zgjuar çdo qelizë të shqiptarë, që janë margjinalizuar. Largimi i Ramës nuk kusht i opozitës, është kusht i shqiptarëve. Zgjedhjet treguan se 85% e shqiptarëve se duan më Ramën. E rëndësishme është se ata bëjnë protestë çdo ditë”, tha Kryemadhi.
Ndërkohë zonja Kryemadhi nuk u ndal me ironitë ndaj Parlamentit, duke iu drejtuar gazetarëve: “Për kë parlament po flisni? Për këtë parlament të dështuar?!”.
Takimi mes Bashës dhe Kryemadhit u bë një ditë pasi u mësua se selia blu kishte përgatitur një raport për 30 qershorin, që do t’ia paraqesë partnerëve ndërkombëtarë.
Nesër kryedemokrati Basha pritet të zhvillojë një takimin edhe me aleatet e tjerë, në vijim të strategjisë per aksionin opozitar.