Pas denoncimeve nga ana e Partisë Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.
Kjo fill pasi ai ka pranuar se ka lejuar që firma “Fusha SHPK”, t’i paguajë hotelin gjatë një udhëtimi në Barcelonë.
“Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media, ju dërgojmë për vlerësim ligjor të dhëna të printuara nga media online ku përfshihen dyshime në lidhje me përfitimin në mënyrë të parregullt të dhuratave prej funksionarit të administratës publike, shtetasit Arbi Mazniku”, – thuhet në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar asaj të Tiranës.
Para vetëm pak ditësh, Partia Demokratike publikoi disa dokumente, të cilat tregonin se kompania “Fusha SHPK”, i ka paguar nënkryetarit të bashkisë së Tiranës një faturë hoteli 908 euro nata, gjatë një vizite në Barcelonë.
Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa, akuzoi Maznikun gjithashtu se duke përfituar nga kjo kompani, ka ndikuar për t’i dhënë Fushës tenderat e Bashkisë së Tiranës.
Vetëm nga bashkia Tiranë, gjatë periudhës 2015-2019, kjo kompani ka përfituar 49 tendera me një vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tendera vlera e fondit limit është thuajse e njëjtë me vlerën e kontratës./Hashtag.al