Më tre gusht pronari dhe stafi i një lokali në zonën e Malit të Robit janë përballur me një situatë të pazakontë. Tre turiste norvegjeze pasi kishin ngrënë e pirë në lokal, kishin telefonuar policinë duke u ankuar se i kanë përdhunuar.
Por Policia pas sekuestrimit të pamjeve filmike ka arritur në përfundimin vajzat kanë gënjyer dhe ato më pas kanë kërkuar falje.
Rasti u trajtua nga emisioni investigativ “STOP” në TV KLAN.
“Ishim në një ditë normale pune, në orën 21:45 erdhën 3 kliente. Porositën, u shërbyem. Zbuluam që ishin shtetase norvegjeze, pinë verë, mbi 2-3 gota. Njëra nga ato qëndroi mbi një orë dhe u largua. Kurse ajo tjetra ndenji me shoqen e vet, kërkuan të pinë, erdhën tek banaku. Aty na u ulën në tavolinë”, thotë njëri prej djemve të Sulejman Aliut, pronari i lokalit në zonën e Malit të Robit.
“Ambienti është i filmuar me kamera. Nga orari që erdhën ne nuk i njohëm fare, vetëm i përshëndetëm. Çfarë dëshironi të pini? U dhamë menunë dhe çdo gjë vazhdoi kështu. U largua edhe vajza tjetër, kjo tjetra erdhi tek banaku për të pirë alkool. I thashë, “shoqja jote iku, tani më jep lekët që keni pirë dhe mund të ikni.” Jo, më tha, pres shoqen time që të vijë”, thotë tjetri.
“Dhjetë minuta pasi u largua vajza, arrin policia dhe na hyn duke bërë terror dhe na thotë se jeni të akuzuar për pengmarrje dhe përdhunim. Ironia më e madhe është se policia erdhi për të na kapur në flagrancë, por ne ishim duke bërë muhabet. Shiko çfarë më bëjnë mua, më shtrinë përtokë, shikoje atë tjetrin që më gjuajti në fytyrë…”
Një prej të arrestuarve ishte edhe një djalë që kishte një biznes ngjitur.
“Unë nuk kisha lidhje fare me ngjarjen, kisha 5 minuta që kisha ardhur dhe shoh policinë, shtrirë të gjithë përtokë dhe një gocë që më akuzon që ti je përgjegjësi për gjithë këtë ngjarje këtu. Unë nuk kam lidhje fare me lokalin, sepse unë jam biznesi ngjitur dhe atë natë erdha vetëm për të përshëndet miqtë e mi. Mua nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që një vajzë që nuk e njihja fare të më akuzonte për përdhunim. Është komplet absurde ndërkohë që kisha vetëm 5 minuta aty. Thjeshtë u gjenda në vendin e gabuar, në çastin e gabuar, ndoshta edhe me njerëzit e gabuar. Megjithëse nuk kisha lidhje me situatën dhe të gjithë dëshmitarët thoshin se nuk kanë të bëjnë, policia na shoqëroi pa na dëgjuar fare.”
3 djemtë i çuan në komisariatin e Kavajës, por nuk u dhanë asnjë procesverbal, as për sekuestrimin e kamerave dhe as për dëshmitë.
Sipas ligjit, njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit për kryerjen e një vepre penale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim gjer në një vit. Por vajzat janë lënë të lira, madje as kopjet e deklaratave nuk u janë dhënë.
Djemtë e pronarit thanë se kishin kërkuar të bënin një denoncim për vajzat, por policia u kishte sugjeruar ta lënë me kaq. Ishte OPGJ Ilir Dizdari që ua kishte thënë këtë.
Video nga momenti i mbërritjes së policisë në lokal pas denoncimit të vajzave, jepet pas minutës 05:00 të videos së mëposhtme.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Tv Klan