Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka folur për mediat pas takimit në selinë blu me aletatët e forcës politike që drejton.
Basha theksoi se e vetmja zgjidhje për vendin janë zgjedhjet e lira e të ndershme, të organizuara nga një qeveri tranzitore.
“Zgjedhje të lira e të ndershme nën kontrollin e një qeverie tranzitore. Nuk ka zgjidhje tjetër. Raporti tregon se institucionet kanë marrë fund. Ndodhemi para një momenti kyç. Në më pak se një muaj e gjysmë Këshilli i Europës do të vendosë nëse do të hapë apo jo negociatat. Nuk kanë shans që negociatat të hapen me një qeveri që nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme.” – tha Basha
Më tej ai shtoi se në raportin e OSBE/ODIHR-it theksohet se në Shqipëri nuk ka shtet e institucione ndërsa shqiptarët po përballen sot me shtetin privat të kryeministrit Rama.
“Raporti thekson se në Shqipëri nuk ka shtet, s’ka institucione. Nuk janë rrëzuar vetëm KQZ dhe infrastruktura zgjedhore, raporti tregon se këtu ka rënë shteti, drejtësia, gjykatat, është shkelur çdo ligj, janë përfshirë në shkelje dhe përdhunim të ligjit nga kryeministri deri të vëzhguesi më i thjeshtë. Kjo ka ardhur, sepse në Shqipëri ka marrë fund shteti i së drejtës dhe raporti tregon se Rama nuk ka varrosur vetëm zgjedhjet, por edhe shtetin e së drejtës, dhe bashkë me këto ka varrosur edhe ekonominë, e së fundi paratë e shqiptarëve në gropat e oligarkisë dhe krimit të organizuar. Sot ndeshemi me një shtet privat, kriminal, personal të Ramës, që ka zëvendësuar shtetin e së drejtës. Ndaj prioriteti ynë kryesor është t’i hapim menjëherë fund kësaj gjendjeje, që nis duke vendosur demokracinë. E vetmja rrugë janë zgjedhjet e lira e të ndershme të mbajtura nën kujdesin e një qeveri tranzitore. PS duhet të marrë përgjegjësitë për gjendjen ku e ka katandisur vendin nën drejtimin e Ramës, i cili duhet të largohet për t’i hapur rrugë zgjidhjes. Është koha t’i kthehemi zgjedhjeve të lira e të ndershme.” – shtoi Basha.