Kryeministri britanik Boris Johnson, vëllai i vogël i të cilit dha dorëheqjen nga Parlamenti ditën e djeshme për çështjen e largimit nga BE-ja, tha se ai “më mirë të vdiste duke luftuar” sesa të vononte BREXIT-in.
Johnson u pyet nga një reporter nëse ai mund të premtojë të mos e vonojë Brexitin pas ngjarjeve të fundit dhe ai u përgjigj: “Po, mundem. Do të preferoja të vdisja duke luftuar për këtë”.
Kur u pyetën nëse ai do të jepte dorëheqjen në rast vonese, ai nuk pranoi të përgjigjej, por tha se vonesa do të ishte “plotësisht e kotë”.
Presioni vazhdon ndaj Johnson jo vetëm nga partitë kundërshtare por edhe nga vetë brenda partisë së tij, madje edhe nga i vëllai, Jo Johnson, i cili dha dorëheqjen nga Parlamenti dhe Qeveria.
Me emërimin e Boris Johnson si kryeministër, vëllai i tij Jo Johnson, 47 vjeç, u emërua si Ministër i Shtetit për Universitetet.
Ai e mori detyrën në korrik por pa kaluar as dy muaj tamam, tani është pjesë e listës së ligjvënësve që ka braktisur administratën e vëllait të tij për çështjen e BREXIT-it.
Jo Johnson tha se ai ishte i detyruar të zgjidhte mes besnikërisë për familjen dhe asaj për vendin, por në fund interesi kombëtar fitoi.