Vendosni fjalën kyçe....

“Personale, jopersonale”, Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Metës për vetëqeverisjen vendore


Maxhoranca rrëzon një tjetër dekret të presidentit Ilir Meta. Komisioni i ligjeve ka rrëzuar sot me votat me maxhorancës dekretin për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit mbi vetëqeverisjen vendore.

Meta e ktheu këtë ligj në Kuvend, me arsyetimin se ndryshimet ligjore cënojnë procesin vendimmarrës të Këshillave Bashkiake në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre.

Në seancën e Komisionit të Ligjeve, u paraqit këshilltari i presidentit Bledar Dervishaj i cili tha se ndryshimet e propozuara në nenin 3 dhe 4 janë të pajustifikuara.

“Presidenti Meta shqyrtoi ligjin për ‘Vetëqeverisjen vendore’ bazuar në përmbajtjen e akteve pasi bëri një vlerësim të kujdesshëm në raport me interesin publik. Dispozitat e nenit 1 janë një hap pozitiv. Referuar nenit 3 dhe 4 gjatë shqyrtimit janë propozuar disa ndryshime që synojnë procesin vendimmarrës. Këto ndryshime janë të pajustifikuara sepse nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik. Nëpërmjet ndryshimeve referuar nenit 3 dhe 4 ulet kontrolli i shtetit”, tha Dervishaj.

Mirëpo pavarësisht arsyetimit, maxhoranca e ka konsideruar relacionin personal duke hedhur poshtë dekretin. Bashkim Fino tha se relacioni i ishte drejtuar personalisht atij, por Dervishaj sqaroi se nuk ka asgjë personale në këtë mes.

“Ajo qe me vjen keq është se po vërej me keqardhje personale se gjithë relacioni është ndërtuar kundër relatorit. Me çfarë duket presidenti e ka personale me mua. Presidenti e di si veprohet kur vjen një nisme. Nuk e humbet të drejtën e pronësisë bashkia. I humbet pronësia vetëm kur shitet. Njësite vendore janë tërësisht autonome. Duhet ta rrezojmë dekretin e presidentit për këto nene”, tha Fino.

Dervishaj u përgjigj: “Vlerësimi i presidentit behet vetëm mbi ligj. Është cituar relatori, sepse propozimi i qeverise nuk përmbante ato shqetësime të qeverisë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *