Një sherr fizik mes dy kushërinjve ka përfunduar në tragjedi në Lipjan, në rrugën Lidhja e Prizrenit. Siç shkruajnë mediat në Kosovë dy persona janë përleshur fizikisht sot rreth orës 15:00, duke agravuar deri në përdorimin e armëve të ftohta.
Njëri prej të rinjve e ka goditur tjetrin me thikë.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, si pasojë e përdorimit të mjeteve të forta dhe një armë të ftohtë (thike),gjatë përleshjes, lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, nga ku kemi pranuar informatën se njeri nga personat e lënduar ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Dy personat dyshohet se janë të afërm, më saktë djalë halle dhe djalë daje. Ndërkohë e gjithë ngjarja besohet se ndodhi pasi një familjar kishte vendosur një karrocë para derës së shtëpisë së tjetrit. Këtë e ka konfirmuar për gazetën Express prokurori Iliaz Beqiri.
“Djalë daje dhe djalë halle kanë qenë mes vete. Ka ndodhur për motive pronësore. Njëri nga familjarët e kishte vendosur një karrocë me çimento para shtëpisë së tjetrit, e kështu filloi konflikti”, tha Beqiri.
Viktima, F.K, i lindur në vitin 1977, ishte komshi dhe familjar me të dyshuarin. Ai punonte si kasap dhe ndërsa më parë kishte punuar edhe në një kompani sigurimi.