PD i ka drejtuar 3 pyetje Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me çështjen Agim Kajmaku, duke theksuar se organi i akuzës ka gënjyer për rastin në fjalë.
Selia blu kërkon transparencë dhe dokumentacionin e plotë për verifikimin e Kajmakut, i arrestuar në Greqi me emrin Jorgo Toto për një vepër penale për të cilën dënohet 10 vjet burg.
PD i ka kërkuar prokurorisë që të njihet me çdo veprim të organit të akuzës nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës për verifikimi e Kajmakut e deri me 5 shtator.
Sipas demokratëve, prokuroria ka gënjyer lidhur me pretendimin e saj se gjurmët e gishtave të Kajmakut nuk ishin marrë pasi ky i fundit nuk kishte pasur njoftim ngaqë posta kishte ngatërruar adresën.
Por një ditë më pas Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Prokurorinë, duke konfirmuar se Kajmaku e kishte marrë njoftimin në kohë, siç e kërkon procedura.
“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”– theksohet në letrën që PD i ka dërguar organit të akuzës.