Përgjysmimi i ritmeve të rritjes ekonomike, konsumi i dobët, kriza e zgjatur politike e kombinuar me një aksion antiinformalitet e kanë përkeqësuar më tej klimën e biznesit në vend gjatë këtij viti.
Lista e “zezë” e bizneseve në tatime që nuk shlyejnë në kohë detyrimet tatimore numëroi në fund të muajit gusht 27,915 biznese gjithsej. Vetëm në vitin 2019 u shtuan edhe 7640 biznese ose 27.4% më shumë, të cilat nuk arritën të paguanin në kohë detyrimet tatimore.
Nga shqyrtimi i listës e cila është e aksesueshme në ëeb-in e tatimeve shihet se, gjatë muajve korrik dhe gusht 2019 pati një zgjerim më të shpejtë të bizneseve në borxh tatimor, çka përkon edhe me aksionin antiinformalitet.
Sipas ligjit të procedurave tatimore, ndaj këtyre bizneseve nis mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga lista.
Publikimi emrave të bizneseve që janë në borxh bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.
Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar, zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në Ligjin e Procedurës Tatimore.
Administrata tatimore, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, mund të kërkojë pranë organeve kompetente ndalimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të administratorit, të personit juridik, ortakut dhe aksionarit të personit juridik apo individit tregtar, i cili ka detyrime të papaguara dhe ndalimin e transferimit jashtë shtetit të shumave të depozituara në llogaritë bankare, në emër të individit tregtar apo të shoqërisë tregtare, që ka detyrime të papaguara.
Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari, të bllokojë llogaritë.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al