Instituti slloven, IFIMES, ka bërë një analizë për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, dhe për vendimin e sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.
Në shkrim thuhet se Kosova dhe Shqipëria qeverisen nga regjimet e një kohe të gjatë: në Kosovë nga Presidenti i saj Hashim Thaçi (PDK) dhe në Shqipëri nën Kryeministrin Edi Rama (PS).
Sipas këtij shkrimi, ngjarjet në Kosovë dhe Shqipëri nuk mund të shihen veçmas, pasi ato në fakt shkaktohen nga dy regjime të lidhura ngushtë që gjenerojnë rregullisht kriza.
“Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 6 tetor 2019. Pritet që regjimi në detyrë të humbasë zgjedhjet, të cilat do të përshpejtojnë rënien e regjimit të Edi Ramës në Shqipëri.
Kryeministri Rama ishte pra i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet për të bindur partitë politike të opozitës kosovare për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe formimin e një qeverie të re, por përpjekjet e tij përfundimisht dështuan. Rama është i vetëdijshëm se humbja në zgjedhje e Thaçit do t’i japë fund edhe regjimit të tij.”, shkruan IFIMES.
Në analizë thuhet gjithashtu se situata e rënduar në Ballkan vjen edhe për shkak të mungesës së SHBA’së në rajon.
Instituti slloven e sheh si problem faktin që shtetet perëndimore kanë ndërtuar partneritet në Ballkan kryesisht me “struktura politiko-kriminale”.
Prandaj Instituti slloven thotë që “SHBA’ja duhet të punësojë agjencitë e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu siç ka bërë Italia pas Luftës së Dytë Botërore”.
IFIMES si hap të parë propozon që të caktohen ata individë apo politikanë që veprojnë si faktor shkatërrues.
Pa u dekriminalizuar shtetet e Ballkanit, IFIMES konstaton se nuk do të jetë e mundur që të kryhet ndonjë proces serioz politik që do të siguronte zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet afatgjatë.
“Prandaj është me rëndësi jetike që këto procese të koordinohen me BE-në, pasi që në shumica e fondeve përfundojnë në duart e krimit dhe korrupsionit”, potencon tutje analiza.
Në fund IFIMES thotë se pika fillestare që do t’i mundësonte Mattheë Palmerit të bënte një punë të mirë do të ishte shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama.
“Shkatërrimi i dyshes së regjimit Thaçi-Rama ndoshta do të ishte pika më e mirë që do të shërbente si shembull i mirë për punën e Palmerit si i dërguar special në Ballkan”, përfundon IFIMES.