Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi ka reaguar ndaj Kreut të grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla pas rrëzimit të kandidaturës së tretë të propozuar nga Ilir Meta për kreun e KLSH-së.
Ditën e sotme Balla i quajti kandidaturat e propozuara nga presidenti të papërshtatshme, deklaratë e cila solli reagimin nga zëdhënësi.
“Tao Tao ka të drejtë që kandidaturat e propozuara nga Presidenti Meta për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash.
Po kështu asnjë prej tyre nuk e ka marrë diplomën e shkollës së lartë, pa bërë fare të mesmen.
Presidenti Meta është i paaftë të propozojë kandidatë me rekorde kaq pozitive që do garantonin hapjen e negociatave në 18 tetor 2019 me ovacione nga të gjitha vendet anëtare”- shkruan Blushi në reagimin e tij.
Gjatë seancës së sotme, Parlamenti votoi kundër kandidaturës së Petraq Milos për kryetar të KLSH-së.