Një person në kërkim ndërkombëtar i cili ishte i dënuar me 20 vite burg, është kapur në Lezhë pas një operacioni të policisë, të koduar “Qarku”.
Po ashtu është arrestuar dhe një person tjetër i cili qarkullonte me armë zjarri në brez. Një person u ndalua për vjedhje ndërsa një tjetër u procedua penalisht për lëndë narkotike.
Shtetasi i cili ishte në kërkim, Erikson Tetaj, rezultonte i dënuar me 20 vite burg, nën akuzën për trafik të narkotikëve dhe për shfrytëzim prostitucioni në Itali.
DETAJET E POLICISË
Në kuadër të planit operacional të koduar “Qarku”, shërbimet policore të Drejtorisë dhe Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë kanë ushtruar kontroll të gjerë në gjithë territorin e Lezhës me qëllim kapjen e personave në kërkim, si dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri e sende tjera kundërligjshme.
Si rezultat i tij, falë edhe mbështetjes dhe bashkëpunimit me qytetarët, u lokalizuan dhe u kapën shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar e kombëtar, konkretisht:
– U arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimi, shtetasi Erikson Tetaj, 23 vjeç, banues në Lezhë. Gjykata Monza Itali e ka dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
– U kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim kombëtar E.N., 22 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes së dyqanit të shtetases B.K., në Laç, ndodhur më 10 korrik 2019, ku ka vjedhur mallra dhe vlera monetare.
Gjithashtu, po në vijim të operacionit:
– U arrestua shtetasi B. P., 28 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë TT me krehër me 7 fishekë, pa leje.
– U procedua penalisht shtetasi E.Sh., vjeç 32, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa doza lëndë narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, falënderon qytetarët për besimin dhe mbështetjen dhe i fton që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërinë në numrin unik 112 dhe në Komisariatin Dixhital, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.