Vendosni fjalën kyçe....

Euro shënon rënie për ditën e 9 radhazi


Monedha e përbashkët i është rikthyer ciklit rënës në tregun e brendshëm. Një euro u këmbye sot me 121.48 lekë, duke shënuar ditën e nëntë radhazi me rënie, dhe duke zbritur me 0.7 lekë në krahasim me fundin e muajit gusht.

Ekspertët e tregut të këmbimeve valutore, pohuan për Monitor se tregu është rikthyer në ekuilibër pasi ndërhyrjet e bankave në blerje ndikuan në forcimin e monedhës së përbashkët në ditët e fundit të gushtit.

Tashmë pohojnë ata tregu i është rikthyer ndikimit të kërkesë ofertës. Prej disa muajsh, euro po luhatet rreth një normaliteti të ri midis 121.5 dhe 122 lekëve. Ekspertët e tregut presin që të vazhdojë të këmbehet në këto nivele, përveçse nëse do të ketë luhatje të mëdha në bursat ndërkombëtare.

Euro ka qenë e dobët edhe përgjatë këtij viti, ndonëse ritmet e nënçmimin kanë qenë shumë më të ulëta në raport me vitin e kaluar. Nga niveli më i lartë i vitit prej 125.3 lekë që u këmbye në fillim të janarit, monedha e përbashkët ka zbritur me gati 4 lekë.

Mesatarisht në 9 muajt e parë të vitit, kursi i këmbimit lekë, euro ishte 123.1 lekë, nga 127.6 lekë që ishte vitin e kaluar. Në fillim të muajit gusht, euro zbriti në 120.75 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga viti 2007.

Që nga mesi i vitit 2016, monedha e përbashkët ka humbur vazhdimisht pikë në tregun e brendshmëm, duke u zhvlerësuar me rreth 12%, nga 138 lekë që ishte në maj 2016. Oferta për valutë më e lartë se kërkesa për të mbetet arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë, e shoqëruar dhe me ngadalësimin e qarkullimit të parasë në vend./Monitor.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *