Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i ka ftuar qytetarët të qëllojnë, por jo të vrasin, çdo zyrtar publik që merr ryshfet, duke premtuar imunitet nga ndjekja penale, me kusht që burokrati i korruptuar të mbijetojë.
“Urdhri” presidencial u bëri thirrje filipinasve të rrahin zyrtarët e korruptuar që hasin, raporton “Manilla Bulletin”, megjithë pasojat e mundshme shkatërruese për ligjin dhe rendin.
“Nëse paguani një taksë, një tarifë ose merrni një çertifikatë, dhe zyrtarët kërkojnë ryshfet, goditini ata. Nëse keni armë, mund t’i qëlloni, por mos i vrisni, sepse gjatë procedurave nuk mund të përfitoni amnisti”, tha presidenti.
Duterte është i njohur për qëdrimet e tij të ashpra sidomos ndaj trafikantëve të drogës, vrasësve e përdhunuesve, qëndrime që janë kritikuar në mënyrë të përsëritur nga grupet e të drejtave të njeriut e OKB-ja.
Që nga janari 2019, rreth 5,000 persona vlerësohet të jenë vrarë në luftën e drogës, megjithëse grupet e të drejtave pretendojnë se numri mund të jetë më shumë se dyfishi.