Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e besoj se Izraeli na ka përgjuar” – Trump reagon pas pretendimeve të mediave


Presidenti amerikan, Trump, tha se e ka të vështirë të besojë që Izraeli mund të ketë spiunuar Shtëpinë e Bardhë, duke përdorur pajisje për përgjimin e celularëve, pas gjithçkaje që ai ka bërë për ta, por e ka lënë të hapur mundësinë se akuzat mund të jenë të vërteta.

“Unë nuk mendoj se izraelitët po na spiunojnë. Me të vërtetë do ta kem vështirë ta besoj, “ u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë të enjten, duke shtuar se “marrëdhënia me Izraelin ka qenë e shkëlqyeshme.”

Si ilustrim, presidenti amerikan solli njohjen e tij për Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, pretendimin për Lartësitë Golan (marrë nga Siria në 1967) dhe daljen nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës me Iranin, e kundërshtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

“Çdo gjë është e mundur, por unë nuk e besoj atë,” tha Trump.

Spekulimet se Izraeli mund të jetë duke përgjuar zyrtarëve të rangut të lartë në Shtëpinë e Bardhë janë rikthyer nga një raport i fundit i “Politico”, i cili pretendonte se spiunët izraelitë mund të kishin manipuluar “vende të ndjeshme” përreth Uashington DC me pajisje të njohura si “StingRays”.

Pajisjet nuk mund të gjurmojnë vetëm sinjalet e telefonit celular, por edhe të përgjojnë përmbajtjen e bisedave.

“Politico” pretendoi se zyrtarët amerikanë i zbuluan pajisjet së pari në 2018, por zgjodhën ta mbajnë gjetjen sekret. Tel Avivi besohet të ketë një histori të gjatë spiunimi ndaj qeverisë amerikane, përfshirë këtu dëgjimin e bisedave diplomatike të ndjeshme. Megjithatë, Izraeli i ka mohuar me forcë të gjitha pretendimet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *