Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Berlini: BE-ja është bërë më e ngurtë, Europa në vështirësi me vetveten


Kryeministri Rama ka deklaruar pas takimit me kancelaren gjermane, Merkel, se kjo e fundit ka pasur vlerësime pozitive dhe vullnet për ta çuar përpara procesin e çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se do vijojë kontaktet me grupe të ndryshme deputetësh gjermanë për të marrë mbështetjen e këtyre të fundit.

Rama shtoi gjithashtu se vendimi në fjalë nuk ka të bëjë edhe aq shumë me atë që bën Shqipëria por me atë që kërkojnë vendet e BE-së.

“Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë.” – tha Rama.

Më tej ai shtoi se tashmë bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, pasi BE-ja dhe Europa është bërë gjithnjë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten.

“Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një dhuratë, bëhet fjalë për të marrë atë që na takon. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte.” – shtoi Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *