Vendosni fjalën kyçe....

Flet banori “hero” që shpëtoi nga zjarri 4 fëmijët në Fushë-Krujë: Nuk dilnin as të rriturit, i kam nxjerrë me shkelma (VIDEO)


Një pallat tre katësh u shkrumbua mëngjesin e sotëm në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, tek ish-kooperativa “Partizani”.

Për shkak të ngjarjes mbetën të asfiksuar katër fëmijë, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes së shpejtë të ndihmës së parë.

Ka qenë një nga banorët, ai i cili ka shmangur një tragjedi duke nxjerrë jashtë godinës së amortizuar katër fëmijët e asfiksuar.

Në një video për “News 24” dhe “Balkanweb”, ai ka treguar se si hyri mes flakëve duke thyer derën e nxjerrë prej aty fëmijët që ishin të shtrirë.

“Rreth orës 7:00 shikoja njerëzit që po shikonin lart në katin e tretë dhe u bëra kurioz. Kur dal jashtë dhe shikoj tym. Ngjitem në katin e tretë dhe shikoj 4 fëmijë shtrirë, ishin asfiksuar. Theva derën dhe i nxora. Të flas është diçka e kotë sepse mua më janë dëmtuar tre hyrje. Realitetin se sa shpejt kanë ardhur dhe sa shpejt po e fikin, urdhëro ja ku e ke vetë realitetin. Nuk dilnin as njerëzit, i kam nxjerrë me shkelma”, tha banori.

Ndërkohë një tjetër banor, banues i katit të tretë ka kërkuar ndihmë nga shteti, pasi familja e tij prej 5 anëtarësh tanimë ka mbetur në qiell të hapur.

 “Kur isha duke punuar më lajmëruan se është djegur shtëpia. Kur erdha unë ishte shkrumbuar komplet kati i tretë. Nuk ka asgjë brenda, ka rënë komplet tavani në tokë, janë djegur të gjitha në katin e tretë. I lutem shtetit të na ndihmojë, kush të ketë mundësi të na ndihmojë sepse ne nuk kemi ku të shkojmë. Unë jam vet i pesti, kam tre fëmijë, gruan. Kanë qenë fëmijët në momentin e zjarrit, kanë dalë jashtë, më kanë lajmëruar në telefon. Mendoj se ka qenë një shkëndijë elektrike”, tha banori.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, e ardhur si pasojë e luhatjeve të tensionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *