Aktorja britanike Keira Knightley është bërë nënë për herë të dytë. Ylli i “Piratëve të Karibeve” dhe bashkëshorti i saj James Righton janë parë për shëtitje në Londër me të porsalindurin.
Në fotografitë e publikuara nga Daily Mail, çifti buzëqesh ndërsa shtyjnë fëmijën e tyre në një karrocë. Keira mbante në duar lule ngjyrë rozë, që nga mediat është interpretuar si shenjë për të dalluar gjininë e fëmijës.
Ajo është treguar mjaft e rezervuar përsa i përket jetës së saj private dhe nuk kishte zbuluar detaje se kur e kishte të lindte, apo cila është gjinia e foshnjës.
Aktorja e konfirmoi shtatzëninë e saj në muajin maj në festën e Chanel në Paris, kur debutoi për herë të parë.
Për herë të fundit aktoja është hapur për jetën e saj si nënë në muajin janar. Ajo u shpreh se edhe pse arrinte të përballonte një kujdes të mirë për vajzën e saj të parë, përsëri haste vështirësi në rritjen dhe edukimin e saj.
Keira ka qenë në një lidhje me muzikantin James Righton, që në muajin shkurt 2011 dhe u martuan më 4 maj 2013, në Mazan, Vaucluse
Dy vite më vonë ata u bënë për herë të parë prindër të një vajze, të cilën e quajtën Edie.