Përfshihet nga flakët kati i fundit i një pallati 3-katësh në qytetin e Fushë-Krujës. Mësohet se zjarri ka nisur rreth orës 07:00 të mëngjesit, por është përhapur me shpejtësi pasi pallati i ndërtuar në vitet ’70 ishte prej druri në pjesën e çatisë. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë një shkëndinjë elektrike. Por pas flakëve mësohet se ka shpërthyer dhe një bombol gazi, duke rënduar situatën.
Si pasojë, kanë mbetur të asfiksuar katër fëmijë të cilët kanë rrezikuar jetën. Ata janë shoqëruar në spital. Fëmijët janë të dy familjeve të ndryshme që banonin në të njëjtin kat.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikësja e Krujës dhe ajo e Vorës si dhe disa bote uji të bizneseve private të Fushë-Krujës.
Zjarrfikësit ndërkohë vijojnë të luftojnë me flakët, ndërsa policia ende nuk ka vënë një perimetër sigurie për kalimtarët të cilët rrezikojnë t’u bien sipër copa të drunjta. Kati i tretë i pallatit ka mbetur i dëmtuar tërësisht për shkak të flakëve duke lënë në qiell të hapur katër familje./Hashtag.al