Përpjekjet për të fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë ka zbuluar një skandal me kompaninë e cila po ndërton “Rrugën e Arbrit”.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ka hapur një hetim administrativ për kompaninë “Gjoka Konstruksion” pasi ka marrë para nga buxheti i shtetit pa përfunduar sipas kontratës punimet në disa lote të Rrugës së Arbrit.
ARSH ka bërë verifikimet e posaçme për kompanitë që morën pjesë në garën për rrugën Kardhiq-Delvinë mes tyre edhe “Gjoka Konstruksion”.
Në një dokument të siguaruar nga News 24, thuhet nga raporti i ARRSH-së, se “Gjoka Konstruksion” ka paraqitur dokumentacion i cili përmban informacion të rremë. Dokumentacioni i paraqitur nga “Gjoka Konstruksion” ishte me qëllim paraqitjen e eksperiencës në projekte të ngjashme, dhe i mundësonte hyrjen në tendera të tjerë.
Për këtë arsye, në datën 12 shtator, ARRSH i ka kërkuar agjencisë së prokurimit publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”.
Konkretisht sipas raportit të ARRSH mbi verifikimin e punimeve në nënkontratën me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e “Rrugës së Arbrit” faza e parë, segmenti numër 3 Zall Bastar -dalje Ura e Vashës”, punimet e marra përsipër nga operatori “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës.
Ka zëra punimesh që janë paraqitur si të përfunduara por që në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma. Inspektimi i kryer është realizuar pas një periudhe gati tre mujore nga data e kolaudimit, çka do të thotë se kompania është paguar nga thesari i shtetit për këto punime.
Por grupi i punës i ngritur nga ARRSH doli në përfundimin se asnjë nga tunelet e “Rrugës së Arbrit” nuk ka përfunduar dhe nuk plotëson parametrat dhe standardet e kërkuara.
Punimet e pakryera konsistojnë kryesisht në ndërtim drenazhi, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.
“Gjoka konstruksion” ka marrë me koncesion ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” për 225 milionë euro. Kompania duhet të siguroje paratë, të ndërtojë rrugën dhe më pas shteti e paguan, por në pamundësi për të gjetur pagesat ka falsifikuar dokumentet dhe ka marrë gati 70 miliardë leke nga thesari i shtetit për punë të pa përfunduara.
Sipas ligjit, në çdo rast kur vërehen paraqitje të të dhënave të rreme është detyrim taksativ i autoritetit kontraktor të shkualifikojë operatorin që i ka paraqitur ato të dhëna dhe të nisë procedurën e përjashtimit nga pjesëmarrja në prokurimet publike.