Dy vatra të reja zjarri kanë përfshirë masivet pyjore në Bulqizë e në Dibër. Banorët kërkojnë ndihmë pasi zjarri po u afrohet banesave.
Në fakt prej tre ditësh një zjarr i madh ka përfshirë masivin me pishë në fshatin Vlashaj të Njësisë Administrative Lurë në Bashkinë Dibër. Banorët thonë se sipërfaqja e djegur deri tani shkon në 10 hektarë.
Ndërhyrja e zjarrfikësve nga toka është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, për këtë arsye ata kërkojnë ndihmë nga ajri.
Vatra tjetër e zjarrit është aktive në Njësinë Administrative Shupenzë. Flakët kanë përfshirë pyjet me dushqe në fshatin Mazhicë. Deri tani besohet se janë djegur rreth 5 hektarë.
Edhe në këtë fshat vatra e zjarrit po ju afrohet banesave dhe banorët kërkojnë ndërhyrjen sa më të shpejtë nga ajri.