Nga mbi 1,1 milionë të punësuar që u raportuan si të punësuar nga INSTAT në tremujorin e dytë të vitit 2019, vetëm 4.4% prej tyre paguajnë sigurime me paga më të larta se 120 mijë lekë.
Duke marrë në konsideratë totalin e të punësuarve në mbi 1,145 mijë persona, rreth 50 mijë individë raportojnë se paguhen më shumë se 120 mijë lekë. Një pjesë e madhe e tyre mësohet se janë në administratën publike, entet dhe ndërmarrjet shtetërore, dhe institucionet e pavarura buxhetore që ofrojnë relativisht paga të larta.
Kjo kategori të punësuarish pësoi një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke zënë 4.4% në totalin e atyre që paguajnë sigurime në raport me 4% që ishin në tremujorin e parë. Por për pjesën dërrmuese të të punësuarve që paguajnë sigurime raportohet një gjendje e mjerë në sektorin e pagave. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, 460 mijë e 173 persona në të gjithë vendin paguajnë sigurime deri në pagën 30 mijë lekë në muaj. Kjo kategori zë 40.2% të totalit të punonjësve që paguajnë sigurime.
Të dhënat e detajuara tregojnë se mbi 320 mijë persona ose 28% e të punësuarve paguajnë sigurime për pagën minimale 26 mijë lekë dhe 139 mijë persona të tjerë ose 12.2% të totalit të punësuarve paguan sigurime në pagën 30 mijë lekë. Paga mesatare në ekonomi u rrit në tremujorin e dytë me 4.4%. Sektorët i informacionit dhe komunikimit, bujqësia, hoteleria, baret dhe restorantet ofruan rritjet më të larta të pagave për punonjësit e tyre, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Ndërsa punonjësit në sektorin e ndërtimit dhe sektorin bankar kanë pësuar ulje të pagës në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të 2018. Në sektorin financiar dhe atë të sigurimit, pagat shënuan ulje me 0.7% dhe në sektorin e ndërtimit me 2.6%.
Nga ana tjetër, rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në sektorin e hotelerisë dhe turizmit me rritje vjetore 13%. Më tej, ritmet më të larta të rritjes i pati sektori i komunikimit me 11% dhe më tej bujqësia, tregtia, shërbimet dhe transporti raportuan rritje vjetore të pagave me 6.3%.
Sektori që paguan më shumë në Shqipëri është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, me 113 mijë lekë në muaj, i ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 87 mijë lekë. Ky sektor ka parë dhe rritjen më të lartë të pagës në vlerë absolute, teksa zhvillimi i teknologjisë së informacionit në biznese po i bën profesionistët e kësaj fushe gjithnjë e më të kërkuar.
Aktivitetet e tjera paguajnë mesatarisht më pak se 60 mijë lekë në muaj, ku më e keqpaguara është bujqësia.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al