Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) ka zbuluar një raport financiar të gjatë dhe të padeklaruar ndër vite të prokurorit të Krimeve të Rënda, Klodian Braho, aktualisht kandidat për SPAK, me policin-ndërtues në Vlorë, Sabri Fega.
E, megjithatë, trupa e Vetingut nuk e ka konsideruar këtë detaj si penalizues për vijimin e karrierës së prokurorit Klodian Braho, duke e konfirmuar në detyrë më 26 Korrik 2019, me një votë të ndarë 2-1 ndërmjet komisionerëve.
Në bazë të deklarimeve të dhëna para KPK-së, prokurori Braho është shprehur se, gjatë viteve 2012-2016, kur ka ushtruar detyrën e prokurorit dhe drejtuesit të Njësisë Task-Force kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Vlorës, ai ka jetuar në një apartament me qera të shtetasit Sabri Fega.
“Boldnews.al” konstatoi se kjo e dhënë nuk gjendet në formularët e pasurisë, të dorëzuar nga prokurori Klodian Braho përgjatë viteve 2012-2016 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Për herë të parë, prokurori Braho i përshkruan raportet qiramarrje-qiradhënie me shtetasin Sabri Fega, në përgjigjen e një pyetësori të dërguar nga Komisioni i Vetingut, pas nisjes së procesit të rivlerësimit.
Sipas vendimit të zbardhur, KPK thotë se “në përgjigje të pyetësorit, subjekti Klodian Braho ka deklaruar se, për periudhën 2011-2016 ka jetuar në apartament me qira në Berat dhe Vlorë dhe se nuk ka lidhur ndonjë kontratë me shkrim”.
Komisioni i Vetingut ka kërkuar informacion dhe ka kryer verifikime për vendin ku ka jetuar prokurori Braho në Vlorë, bazuar në një denoncim publik të shtetasit E.D.
KPK deklaron se “shtetasi E.D. pretendon se subjekti Klodian Braho ka pasur lidhje me shtetasin S.F. (Sabri Fega, shën.red) dhe se i ka përdorur pasuritë e tij gjatë kohës që ka qenë prokuror në qytetin e Vlorës”.
“Komisioni konstatoi se subjekti i rivlerësimit ka banuar me qira në shtëpinë e z.F., dhe për këtë subjekti ka paraqitur dhe dokumentacion provues”, shprehet KPK në vendimin e zbardhur.
Më tej, KPK shprehet se: “Lidhur me këtë është vënë në dispozicion dhe deklarata noteriale e datës 12.04.2016, ku deklarohet se shtetasi z.F., i ka lënë në përdorim shtetasit Klodjan Braho, apartamentin e tij me qira në vlerën 7,000 lekë në muaj për periudhën maj 2012 deri në shkurt 2016”.
Për të konfirmuar këtë raport, vendimi i KPK-së përmend faktin se “është vënë në dispozicion edhe deklarata noteriale e datës 12.04.2016, ku deklarohet se shtetasi S.F i ka lënë në përdorim shtetasit Klodian Braho apartamentin e tij me qira, në vlerën 7000 lekë në muaj, për periudhën 2012-2016”.
Mosdeklarimi i qirasë
Subjekti Klodian Braho rezulton që të mos e ketë deklaruar detyrimin për qiradhënie në asnjë prej deklaratave të pasurisë, të dorëzuara përgjatë viteve 2012-2016. Formulari i pasurisë, në një rubrikë të veçantë të tij, kërkon nga subjektet deklarues, të shënojnë, ndër të tjera, edhe rastet kur kanë detyrime financiare në formë qiraje.
Nga konsultimi i deklaratave të pasurisë të prokurorit Braho, të publikuara në portalin “opendata.al”, rezulton se prokurori Klodian Braho nuk ka deklaruar pagesë qiraje përgjatë periudhës që ka ushtruar detyrën në prokurorinë e Vlorës.
Por, Komisioni i Vetingut nuk e ka konsideruar si “fshehje” faktin që ai nuk ka deklaruar marrëdhënien qiradhënie-qiramarrëse me shtetasin Sabri Fega.
Në bazë të të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al”, shtetasi Sabri Fega është në organikën e Policisë së Shtetit. Prej vitit 2013, sipas burimeve të redaksisë, ai ka qenë pjesë e sektorit të dhënies së pasaportave në Drejtorinë e Policisë së qytetit bregdetar.
Shtetasi Sabri Fega rezulton të jetë gjithashtu pronar në dy kompani ndërtimi. Në të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Fega rezulton të jetë regjistruar si “person fizik” me emrin e tij dhe objekt “Investitor në ndërtim” dhe aksioneri në maxhorancë (80%) në kompaninë e ndërtimit “Future Invest”, të dyja me seli në Vlorë.
Ndër pallatet e ndërtuara nga Fega është edhe një pranë Hipotekës së Vlorës, në rrugën Trans-ballkanike, godën, në të cilën prokurori Klodian Braho i ka thënë Komisionit të Vetingut se ka jetuar me qira në përiudhën 2012-2016.
Vetingu i ndarë
Klodian Braho, aktualisht zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe kandidat për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), u konfirmua në detyrë në 26 Korrik 2019.
Trupa e Vetingut, e përbërë nga kryesuese Xhensila Pine, relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, u nda dy me një për konfirmimin në detyrë të Brahos.
Kryesuesja Xhensila Pine mbështeti qëndrimin për shkarkimin e prokurorit Braho, për shkak se ai nuk kishte treguar për raportet me kunatin e tij dhe kishte fshehur faktin që vëllai i bashkëshortes, E.V., ishte arrestuar në Itali për drogë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews