Xhorxh Soros, është një filantrop i cili ka zgjedhur të investojë për një shoqëri të hapur në Shtetet e Bashkuara dhe mjaft vende të botës dhe ta mbështesë karierën e tij rreth kësaj ideje. Ai krijoji në Amerikë në fund të viteve 60 Fondin Kuant, një prej fondeve më të sukseshme të investimeve më risk. Miliarderi, në fund të viteve 80 çeli zyra të fondacionit në disa vende të Europës lindore, dhe pas rënies së sistemit komunist edhe në Shqipëri.
Mirëpo edhe pse ai ka investuar qindra miliona dollarë në vendet ish-komuniste, në fusha si arsimi, shëndetësia, dhe në mjaft projekte me ndikim për shtresat në nevojë, sot debati është përqendruar në ndikimin e tij politik në këto vende. Në Shqipëri ky debat kulmoi gjatë hartimit dhe miratimit të Reformës në Drejtësi 3 vjet me parë.
“Lidhet drejpërdrejt dhe vetëm me rolin e reformës së drejtësisë dhe me faktin se kjo reformë ka filluar të japë rezultatet e para, sado pikëpyetje dhe problematika që ka patur në ecurinë e vet”- thotë Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.
“Le të marrim pak reformën në drejtësi. Le të më thotë mua çdo njeri, çfarë do Fondacioni Soros të hartojë strategjinë e reformës në drejtësi. Një qëllim të vetëm ka, për të shëndrruar drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit të Edi Ramës”– shprehet Sali Berisha, ish Presdient i Shqipërisë.
“Ne nuk kemi ofruar asnjë paketë për Komisionin e Vencias apo për çdo institucion tjetër. Ne kemi asistuar financiarisht parlamentin e Shqipërisë në punën që kanë kryer 60 ekspertët e e emëruar prej tij. Ne kemi investuar 600 mijë dollarë për parlamentin shqiptar praktikisht. Këtu fillon dhe mbaron mbështetja e Fondacionit Soros për Reformën në Drejtësi”– sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Soros”.
Por debati mbi veprimtarinë e Fondacionit Soros në Shqipëri është më i hershëm se Reforma në Drejtësi. Ish-presidenti Berisha përkundrejt rezervave të forta dhe incidentit me dy punonjës të Fondacionit Soros që u shpallën non grada prej tij, me argumentin se ishin kapur nga shërbimet sekrete shqiptare duke iu dhënë informacione shërbimeve serbe, e vlerëson kontributin e Sorosit në fillim të viteve 90.
“Por kjo natyrisht nuk ndërpreu marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Xhorxh Soros. Investimi i tij në Shqipëri për ngritjen dhe mbështetjen e shoqërisë civile, ishte shumë i mirpritur nga unë. Unë isha president i një vendi, në atë përiudhë i treti më i varfër në botë. Njerëzit nuk kishin asnjë mundësi të udhëtonin, nuk kishin mundësi të siguronin zyra, dhe e vërteta është së në këtë drejtim Fondacioni Soros, mendoj se ishte burimi kryesor i financimit dhe krijimit të këtyre organizatave”– pohon zoti Berisha.
Xhorxh Soros ndikoi në Shqipëri në fillim të viteve 90-të në mbështetjen dhe organizimin e shoqërisë civile. Por kjo veprimtari u shoqërua nga opinione dhe gjykime të ndryshme shpeshherë dhe të ashpra.
“Pas 4-5 vitesh konstatova se ky ishte një investim pothuajse tërësisht i njëanshëm dhe Xhorxh Soros ngriti një rrjet shoqatash të cilat në 80-90% të tyre ishin leva të ish-partisë komuniste, të partisë socialiste që ndërroi emrin. Ishte një dëmtim palcor i rolit dhe misionit të shoqërisë civile”– shprehet Sali Berisha, ish- Presdient i Shqipërisë.
“Në një kuadër më të gjerë Xhorxh Sorosi është njeri pas politikave progresiste dhe liberale dhe njëkohësisht dhe një nga kontribuesit në vendet postkomuniste. Kështu që dihet që është një antikomunist. Nuk mund të jetë një njeri që investon tek e majta”- shprehet Edlira Gjoni, Drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik.
“Në një fondacion që punon për gratë e trafikuara, ti nuk i thua një gruaje a je e majtë apo e djathtë që unë të të shërbej dhe të jap shërbimin tim. Për këtë arsye them që paratë që janë derdhur për shoqërinë civile 80% e tyre kanë shkuar tek ata që kanë patur nevojë për t’i marrë këto shërbime”– thotë Iris Luarasi, aktiviste e të drejtave të grave.
Protagonistë të shoqërisë civile veçojnë meritën e Xhorxh Sorosit në lëvrimin e 130 milion dollarëve në arsim, mjekësi, në ndihmë të komunitetit rom dhe egjiptian, në ndihmë të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, duke iu dhënë mbështetje ligjore si dhe mjaft projekte të tjera.
“Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se në kohën kur Berisha ishte president, ky njeri financonte ndërtimin e mbi 200 shkollave. Kështu që nuk mund të mohohen investimet që Soros ka bërë, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet”– thotë Edlira Gjoni, Drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik.
“Asgjë si mohohet asgjë. Dhe unë kam bashkëpunuar me Xhorxh Sorosin në dekadën e romëve. Qeveria ime me Organizatën e Kombeve të Bashkuara është angazhuar me interes të veçantë në këtë drejtim”– shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.
“Problemi që ka lindur në Shqipëri me problemin Soros lidhet kryesisht me programin politik, pra të trajnimit të lidershipit dhë të forcimit të kapaciteteve të partive politike”- shprehet Lavdrim Lita, bashkëthemelues i Qendrës Zëri i Integrimit.
Komponenti politik është dhe fusha gri e gjithë debatit ndaj figurës së Xhorxh Sorosit. Kundërshtarët e tij në Shqipëri shohin tek ai një mbështetës dhe financues të fuqishëm të së majtës dhe eksponentëve të saj.
“Kemi një ç’ekuilibrim të balancës politike në raport me Fondacionin Soros. Kemi një raport 8-2, pra kemi një favorizim e partive politike më bindje të majta dhe lënie mënjanë e PD dhe partive të qendrës së djathtë” – argumenton Lavdrim Lita, bashkëthemelues i Qendrës Zëri i Integrimit.
“Në këtë mes është e vështirë të spekulosh se mbështetja ka qenë 80% për të majtët dhe 20 për të djathtët sepse unë nuk e di se kush është kjo shoqëri civile që është e majtë dhe kush është e djathtë” – sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.
“Ai mund të thotë se unë kam financuar edhe qendrën e djathtë, por ato kanë qenë stërpika krahasuar më milionat e milionat, që ai derdhi për financimin e ish pasardhësve të nomenklaturës”– shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.
“Për rastin e zotit Basha, për çfarë informacioni kam unë, ka patur një marrëveshje mes Univeristetit të Uhtretit dhe Fondacionit Soros për bursa të përbashkëta për studentët shqiptarë. Dhe ka rastisur që dhe zoti Basha ka qenë student në atë kohë dhe ka përfituar prej tyre. Nuk besoj se ka patur një bursë specifike për zotin Basha”– sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.
“Unë nuk di të këtë marrë bursë, por edhe sikur të ketë marrë bursë, kjo nuk do të thotë që unë të mbetem skllav i një burse. Po të jetë ashtu dhe nësë do të isha në vendin e tij ja ktheja ato para”– pohon ish Kryeministri Sali Berisha
Fondacioni Soros drejtohet nga një bord, në përbërje të të cilit vit pas viti kanë qenë mjaft përsonalitete të jetës shoqërore dhe politike në Shqipëri. Sot nën dritën e re të diskutimit dhe debatit mbi rolin dhe ndikimin e Xhorxh Soros për një shoqëri të hapur, mjaft emra shigjetohen si tregues, se filantropi ka mbështetur të majtën ekstreme duke sjellë pasoja për vendin.
“Edi Rama vetë ka qenë kryesor në Fondacionin Soros. Linda Rama vetë ka qenë drejtuese e Fondacionit Soros. Erjon Veliaj gjithashtu. Në një aspekt, me paratë e tij është mbjellë fara e korrupsionit e paimagjinueshme. Nuk është se nuk ka ekzistuar korrupsioni, por dhe ka ndikuar”– shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.
“Në bordin e Fondacionit Soros njerëzit nuk vijnë të bëjnë karrierë dhe nuk e ndërtojnë karrierën e tyre nga bordi i fondacionit përkundrazi të mos harrojmë se në bordin e fondacionit kanë qenë njerëz si Ylli Popa, Ismail Kadareja. Ka patur gjithnjë një balancë në përbërjen e bordit sidomos përsa i përket si bindjeve po ashtu dhe prurjeve dhe ideve”– argumenton Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.
Ish Kryeministri Sali Berisha thotë për Zërin e Amerikës se takimi i tij i fundit me zotin Soros ishte pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005.
“Xhorxh Sorosin e kam pritur në 2005-ën. Fitova zgjedhjet dhe ai erdhi për Edi Ramën. E prita në një drekë, diskutova, i përcaktova qëndrimet e mija se unë kam ndërmend të bashkëpunoj më të gjithë pushtetin vendor, dhe natyrisht dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, kam ndërmend të bashkëpunoj me opozitën. Interesi i tij në këtë takim ishte Edi Rama.”
“Ne kemi punuar dhe bashkëpunuar me të gjitha qeveritë si të majta ashtu dhe të djathta. Mund të jemi konfrontuar madje me to, siç ka qenë rasti i Gërdecit. Raste të tjera janë aktuale. Një çështje e pacientes hemofilike, që është fituar në gjykatë kundër Ministrisë së Drejtësisë. Çështje tjetër është një e sëmurë që vuante nga kanceri dhe që nuk i jepeshin medikamentet nga Ministria e Shëndetësisë. Në Tepelenë përshëmbull kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Kemi raste të tjera të ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Janë çështje juridike që vazhdojnë”– argumenton Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.
Lidhur me pyetjen e Zërit të Amerikës se kritikët shprehen se Partia Demokratike po kërkon të gjejë një armik të jashtëm pasi nuk arrin të jetë frymëzuese për mbështetësit e saj, zoti Berisha shprehet se:
“Sot opozita është shumicë dhe do të ishte absurde të mendohej se PD do të preferonte për armik një superspekulant të planetit me një fuqi të jashtzakonshme, sepse përdor paratë për të blerë politikanët dhe politikë, si askush tjetër në botë. Por Partia Demokratike guxon dhe do të guxojë t’i thotë të vërtetat në sy.”
Debati mbi aktivitetin e miliarderit Xhorxh Soros dhe rolin e tij në mbështetje të shoqërisë civile nuk është një çështje thjesht dhe vetëm shqiptare. Filantropi është i atakuar edhe në Amerikë pasi ai mbështet demokratët dhe është kundërshtar i fortë i Presidentit Tramp. Kritika ndaj ideologjisë Soros për një shoqëri të hapur, pati vitet e fundit edhe në disa vende të Europës, veçanërisht në Hungari dhe Maqedoninë e Veriut. Vala e këtij diskutimi ngre pikpyetje mbi këtë figurë komplekse, që u bë i pasur duke investuar fonde më risk, dhe që një pjesë të parave të tij, në ndryshim nga mjaft miliarderë të tjerë, ka zgjedhur t’i shpenzojë për forcimin e atyre që ai e quan shoqëri të hapura.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Zërit të Amerikës