Kompania që po ndërton Rrugën e Arbrit, “Gjoka Konstruksion” me administrator Rrok Gjokën, ka lidhur një marrëveshje nënkontraktore me kompaninë e të birit, Erind Gjoka, i cili është administrator i kompanisë “Gjoka 87”, shkruan Balkanweb.
Ndërkohë rezulton se Balkanweb e ka hequr linkun e shkrimit ku shkruante se Gjoka Konstruksion kishte lidhur kontratë me shoqërinë e të birit.
Bëhet fjalë për segmentin numër 3 të kësaj vepre, Zall Bastar Dalje-Ura e Vashës si dhe segmenti Ura e Cerenecit- Bllatë.
Kontrata me afat 12 mujor është lidhur për punimet e konsideruara si të papërfunduara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për të cilat janë marrë paratë nga buxheti i shtetit mbi bazën e dokumenteve të rreme.
Në këtë kontratë sipërmarrës rezulton kompania “Gjoka 87” e Erind Gjokës, ndërsa nënsipërmarrëse kompania “Gjoka Konstruksion” e babait, Rrok Gjoka, edhe pse tenderin për Rrugën e Arbrit e ka fituar “Gjoka Konstruksion”.
“Gjoka 87” ka vlerësuar si punime të kryera me cilësi të mirë, punimet e realizuara nga shoqëria e babait të tij, kolaudimi i punimeve është kryer nga shoqëria “IKN shpk”, ndërsa mbikëqyrës i punimeve ka qënë shoqëria “GR Albania shpk” dhe “Gauff gmbh& CO enginering kg”.
Këto punime janë kolauduar në datën 27 maj 2019 dhe konsistojnë në realizimin e dy urave dhe tre tuneleve, që sipas ARRSH-së janë të papërfunduara.