Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i hemodializës po i shitet një kompanie fantazëm, me zero të ardhura


Koncesioni i dializës po i shitet një kompanie guackë, me zero të ardhura dhe me asnjë punonjës, që fshihet pas emrit të grupit të njohur suedez Diaverium (që ofron shërbime në kujdeisn e veshkave). Blerësi nuk ka depozituar as një plan biznesi se si do të hyjë në tregun shqiptar të hemodializës, apo se si do të ofrojë shërbimin e hemodializës për pacientët shqiptarë.

Më datë 25 Qershor 2019, është nënshkruar “Marrëveshja për shitblerjen e aksioneve”, midis palës blerëse Diaverum International AB dhe shitësve American Hospital SHA e cila zotëron 15% të kapitalit dhe Evita SHPK e cila zotëron 85% të kapitalit të shoqërisë DiaVita SHPK. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga Autoriteti i Konkurrencës, që në gusht publikoi njoftimin për përqendrimin.

 Në atë njoftim thuhej se “Diaverum International AB, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e krijuar sipas legjislacionit të Suedisë, me aktivitet pronësinë dhe administrimin e aksioneve dhe letrave me vlerë dhe aktivitete të tjera të ngjashme me to. Diaverum International AB është pjesë e grupit Diaverum S.a.r.l, e cila ofron shërbime në kujdesin e veshkave dhe shërbimeve të lidhura me to, duke mos prodhuar apo tregtuar vetë pajisjet e dializës ose mjetet një përdorimesh mjekësore. Diaverum nuk e ushtron aktivitetin e saj në Shqipëri”.

Por, pas një hetimi më të hollësishëm, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se blerësi direkt i koncesionit është një shoqëri me zero aktivitet. “Sipas dokumentacionit të depozituar, nuk rezultojnë të ardhura të realizuara gjatë viteve 2013-2017 nga shoqëria Diaverium International AB”, thuhet në një vendim të fundit të konkurrencës të publikuar ditën e sotme, në të cilin e kërkohet Ministrisë së Shëndetësisë që të miratojë paraprakisht me shkrim kontratën e transferimit të koncesionit të shoqërisë DiaVita shpk.

Konkurrenca thotë në vendimin e saj të fundit se i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dokumentacionin mbi procedurat e ndjekura nga autoriteti kontraktor në lidhje me transaskionin e njoftuar si dhe raportin e monitorimit të koncesionit, me qëllim vlerësimin e aktivitetit të deritanishëm të kompanisë koncesionare si dhe planin e biznesit të shoqërisë blerëse , me qëllim vlerësimin e aftësisë konkurruese të shoqërisë që pritet të hyjë në tregun e shërbimit të hemodializës.

Në vendim thuhet se në përgjigje të kësaj kërkese, Ministria e Shëndetësisë është shprehur dakord për vazhdimin e procedurave të ndryshimit të strukturës së ortakërisë së shoqërisë koncesionare DiaVita, por nuk depozitoi asnjë dokument, sipas kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës. Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur që t’i kërkojë MInistrisë së shëndetësisë, në zbatim të nenit 32, pika 1 e Ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” të shprehet me shkrim për miratimin paraprak të transferimit të kontratës së koncesionit “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, të shoqërisë Diavita shpk.

Koncesioni

Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.

Aksionerët aktuale të koncesionit janë Evita, (që aktualisht zotërohet 25% nga Ertel Kërçuku dhe 75% nga Arimo), me 755 dhe pjesa tjetër nga Spitali Amerikan.

Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në 2025-n, kur parashikohet të përfundojë afati i koncesionit.

“DiaVita”, raporti në 2018-n  rreth 643 milionë lekë të ardhura, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në 2025-n.

Sipas kontratës, koncesionari e ofron shërbimin përkundrejt një kostoje prej 11,203 lekë për seancë, ndërkohë që shteti nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor e kryen këtë shërbim për 12,106 lekë. Në kontratën koncesionare parashikohet që në momentin që shteti e rrit çmimin për shërbimin që ai ofron vetë (vendim që merret nga qeveria) edhe koncesionari ka të drejtë të rrisë automatikisht me të njëjtën masë çmimin me të  cilin e ofron shërbimin.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *