Vendosni fjalën kyçe....

“Krizën do e zgjidhim nga brenda, jo duke bërë viktimën por duke u bashkuar” – Basha nga Shkodra


Kreu i Partisë Demokratike, ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken e Shkodrës, Ademi dhe mbështetësit e forcës politike që drejton.

Në fjalën e tij përpara qytetarëve, Basha, theksoi se zgjidhja për situatën politike në vend do vijë nga brenda e jo nga jashtë. Ai shtoi më tej se kriza nuk zgjidhet duke bërë viktimën por duke u bashkuar me njëri-tjetrin.

 “Nuk ka zgjidhje nga jashtë, zgjidhja do të vijë nga brenda. Nga jashtë do të kemi miq, siç kemi pasur miq dhe me çdo përpjekje tonën për të mundur antivlerën që nga dita e parë e ndryshimeve në vend, nga diktatura në demokraci, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimën, as duke parë nga qielli. Kjo krizë zgjidhet duke u bashkuar, duke marrë fatin tonë në duart tona.”– tha Basha.

Ai shtoi gjithashtu se të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës janë me lidhje kriminale dhe kjo është diçka që dihet gjerësisht nga të gjithë shkodranët.

Basha tha më tej se kjo situatë dominon në mbarë vendin ku dhjetëra kandidatë të PS-së janë persona me rekorde kriminale.

“As Edi Rama dhe qeveria nuk kanë përgjigje për vendin dhe as për Shkodrën. Vendi ndodhet në udhëtim delikat dhe kritik. Ndaj ne si opozitë, PD dhe aleatët, të bashkuar, kemi sot përgjegjësinë që t’i japim shqiptarëve zgjidhjen që e meritojnë. Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe ajo mund të zgjidhet duke e ndarë atë nga krimi. Proces zgjedhor pa garancinë se qytetarët nuk do të dhunohen, pa një transformim të thellë, nuk mund të ketë. Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. As Rama e as organizata e tij kriminale nuk kanë as përgjigje dhe as zgjidhje për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, apo Babanin.” – shtoi ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *