Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar zgjatjen e afateve të hetimit për grupin “Bajri”. Kjo kërkesë i është dërguar gjykatës për Krimet e Rënda.
Vendimin nëse do të vendosë apo jo për pranimin e kërkesës së Prokurorisë, Gjykata do ta marrë në datën 20 shtator.
Pjesëtarë të ndryshëm të dyshuar të grupit “Bajri” janë duke u hetuar për disa vrasje dhe atentate në qytetin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera.
Ky grup dyshohet gjithashtu për pjesëmarrje në trafik droge dhe vendosje gjobaash në qytetin e Shkodrës.
Në shtator të vitit 2018 Krimet e Rënda urdhëruan arrestimin e 11 anëtarëve të grupit Bajri pasi ndaj tyre ishin ngritur akuza për 2 vrasje të dokumentuara që prej vitit 2001, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i llotarive sportive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Dy prej të arrestuarve ranë në pranga në Roterdam të Holandës në të njëjtën kohë me aksionin që u zhvillua në Shqipëri.
Mes të arrestuarve në Shqipëri ishte edhe Safet Bajri, një nga organizatorët e grupit ndërsa Enver Bajri, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal ra në pranga më 27 tetor në një aksion të interpolit në Spanjë.