Vendosni fjalën kyçe....

Dorëhiqet drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato


Drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, ka dhënë dorëheqjen para pak çastesh.

Qato e ka bërë njoftimin në faqen e saj në Facebook, ku shpjegon edhe arsyet që e kishin çuar drejt këtij vendimi.

Ish-ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe tashmë ish-drejtoresha e ARRSH-së, thekson se dorëheqja vjen pas akuzave nga një kompani (Kompania Gjoka Konstruksion) lidhur me procedurë, e cila sipas saj është krejtësisht e ligjshme.

Më tej ajo thekson se kjo akuzë e ka vënë në pozitë të vështirë me detyrën e saj. Ajo thekson më tej se ndihet e lënduar nga nga spekulimet mediatike dhe njëkohësisht e sheh të pamundur të vijojë punën mes përballjes me akuzat e kompanisë dhe administrimit të punës dhe projekteve infrastrukturorë në vend.

“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.

Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.

Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.

Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!”

3 ditë më parë, Kompania Gjoka Konstruksion hodhi në gjyq, drejtoreshën e ARSSH-së, Sonila Qato, lidhur me shtyrjen e afatit të tenderit të tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë.

Sipas kompanisë, Qato do paditej për pishje të imazhit të kompanisë, pasi kishte publikuar në media informacione të paprovuara.

Ndërkohë kompania hodhi poshtë ato që i quajti pretendime të ARRSH-së, se kishte paraqitur të dhëna fiktive pë të fituar tenderin në fjalë.

Gjoka Konstruksion e ARRSH janë përplasur ditët e fundit edhe për projektin e Rrugës së Arbrit. Sipas ARRSH-së, kompania në fjalë nuk ka kryer shumë nga punimet që i ka paraqitur si të përfunduara duke përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Ndërsa kompania pretendon se nuk ka paraqitur asnjë të dhënë fiktive lidhur me projektin e lartpërmendur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *