Presidenti kontrovers i Filipineve, Rodrigo Duterte, pranoi gjatë një fjalimi këtë javë se ai kishte porositur një atentat ndaj një politikani vitin e kaluar.
Një deklaratë befasuese kjo, edhe pse vjen nga një president i njohur për retorikën provokuese. Mirëpo zëdhënësi i Dutertes doli të sqarojë mediat, se presidenti “kishte gabuar”.
Duterte po fliste të martën në pallatin presidencial në Manila, kundër korrupsionit të lidhur me drogën në politikën e Filipineve.
Ai përmendi dy kryetarë bashkie që u vranë nga policia pas akuzave për krime të drogës: Rolando Espinosa, i cili u qëllua me armë zjarri në qelinë e burgut në vitin 2016, dhe Reynaldo Parojinog, i cili vdiq pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në vitin 2017.
Më pas Duterte përmendi Vicente Loot, një kryetar bashkie dhe ish-gjeneral i cili i mbijetoi një sulmi me armë në maj të 2018-ës.
“Gjeneral Loot, ti bir kur*ve. Unë të bëra pritë o kafshë, dhe ti akoma mbijetove.”, janë fjalët që përdori Duterte.
Mirëpo zëdhënësi doli ditën tjetër duke thënë se presidenti ishte ngatërruar. Ai duhej të kishte thënë “Ti u zure në pritë” dhe jo ashtu siç u shpreh.
Zëdhënësi Salvador Panelo, vuri në dukje se gjuha filipinase nuk është gjuha amtare e Dutertes, pasi ai është folës amtar i Visayan, gjuhës që përdoret kryesisht në Filipinet jugore dhe qendrore.
“Është marrëzi dhe absurde të konstatosh se ai qëndron prapa një prite vetëm sepse gaboi në gjuhën filipinase, e cila nuk është gjuha e tij amtare apo gjuha e parë”, tha Panelo.