Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar jashtë sallës së Kuvendit, se Damian Gjiknuri, është eksperti më i mirë i reformës zgjedhore.
Teksa komentoi ftesën e kryeministrit Rama për opozitën jashtë parlamentit që të marrë pjesë në reformën zgjedhore, ai tha se kjo ftesë është e sinqertë dhe se nuk duhet humbur kohë, pasi fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme është pranë.
“Ajo që ka bërë dje kryeministri Rama është një shprehje e gatishmërisë sonë, në komisionin e reformës zgjedhore të ketë zërin apo kërkesat që burojnë nga PD dhe aleatët e saj. Të gjitha palët duhet të kuptojnë se ne jemi kundërshtarë, por tek reforma secili duhet të japë mendimet e veta që zgjedhjet e qershorit 2021 të zhvillohen me ndryshimet e rreja në Kodin Zgjedhor.” – tha Balla.
Ndërsa ai theksoi se Damian Gjiknuri është eksperti më i mirë i reformës zgjedhore dhe se ai nuk mund të paragjykohet për asgjë për sa kohë nuk ka një vendim gjykate ndaj tij.
“Nuk jam dakord me këtë qasje, që njëra palë vendos kushte për përfaqësuesit e palës tjetër, Gjiknuri duhet ta themi se është eksperti më i mirë i reformave zgjedhore shumëvjeçare në vend. Në demokraci kundërshtari nuk zgjidhet. Nuk duhet të zgjatem aspak, sepse kjo nuk është çështje themelore. Në primet themelore të të drejtave të njeriut askush nuk mund të paragjykohet, sa kohë që nuk ka asnjë vendim gjykata që të provojë fajësinë.” – shtoi Balla.