Vendosni fjalën kyçe....

Kontenierët me banane, Arbër Çekaj ekstradohet nga Gjermania


Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë po ekstradohet nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Lajmin e konfirmoi zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e cila foli për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

“Falë bashkëpunimit me partnerët, shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit të punës ndërmjet Interpol Tirana me homologët është bërë e mundur që në Itali, Gjermani, Francë, Britani, Hollandë, SH.B.A, Greqi dhe vende të tjera të arrestohen 104 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të kërkuar nga drejtësia shqiptare, nga të cilët 75 prej tyre janë ekstraduar drejt Shqipërisë, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre.

Gjithashtu, nga Interpol Tirana bazuar në informacionet e siguruara nga qytetarët, në bashkëpunim me Strukturat e Policisë në qarqe, janë kapur dhe arrestuar 45 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga vendet me të cilat ka një marrëveshje dypalëshe ekstradimi.

Në orët e fundit në Rinas, në dalje, Policia Kufitare ka kapur dhe ndalur shtetasin turk T. N., 35 vjeç, i kërkuar nga Zvicra për vrasje. Gjithashtu, vlen të përmendet arrestimi dhe ekstradimi drejt Finlandës i një shtetasi të huaj, i cili figuronte në listën e personave më të kërkuar, me rezikshmëri të lartë shoqërore dhe fshihej në territorin shqiptar.

Po sot nga Interpol Tirana është duke u kryer ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri i Arbër Çekaj.”, tha Hajnaj.

Arbër Çekaj akuzohet si i dyshuar për trafikimin e 613 kilogramëve me kokainë, që u gjetën në një trajler në magazinat e Arbri Garden në Maminas.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *