Në Gjykatën për Krime të Rënda në këto momente po vendoset për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për lidhje me grupin e trafikantëve të drogës “Habilaj”.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar në pretencën e saj 12 vite burg për Tahirin, e cila konvertohet në 8 vite për shkak se i pandehuri ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Ish-ministri mbrohet duke thënë se nuk ka prova kundër tij.
Prokuroria shqiptare po tenton të dënojë Tahirin me provat e Italisë që atje e pushuan çështjen në ngarkim të ish-ministrit.
Avokati Maks Haxhia tha dje se Tahiri ishte përgatitur vetë për mbrojtjen pasi i është përkushtuar tërësisht kësaj çështje, madje shtoi se prokuroria ishte shumë dobët me provat pasi kishte sjellë në proces edhe materialet nga Italia, ku autoritetet atje i kanë gjykuar dhe kanë pushuar çështjen në ngarkim të Tahirit.
” Materialet e Italisë janë gjykuar në Itali, janë organe të specializuara jo të korruptuara. Duke qenë e gjykuar gjykata shqiptare gjithë materialet e Italisë duhej t’i kishte hequr. Prokuroria ka sjellë gjithë materialet e Italisë që ato janë gjykuar, dhe autoritetet italiane kanë vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të Tahirit”, tha Maks Haxhia.
“Të gjitha materialet e prokurorisë ishin copy-paste dhe jo të bëra mirë, prokuroria po të kishte pak dinjitet do të pushonte hetimin. Gjergj Kohila i ka dërguar e-mail prokurorit që ishte në seancë për Mojsi Habilajn. E-mailin ia ka dërguar para tre vjetësh”, shtoi Haxhia.
Prokuroria për Krime të Rënda është mbështetur në një sërë përgjimesh mes anëtarëve të grupit kriminal në pretencën e lexuar dje.
Duke analizuar përgjimet, Akuza ka dalë në përfundimin se nga bisedat kuptohet që ata kishin mbështetjen e Policisë së Vlorës.
Por, përgjimet u panë me skepticizëm nga Saimir Tahiri, i cili tha se Prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim për verifikimin e vërtetësisë së këtyre përgjimeve dhe në asnjë rast nuk vërtetohet se trafikantët janë duke folur për të, apo edhe për ndonjë nga Policët.
Një nga dëshmitë që përflitet se mund të fundosë ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri, është ajo e një ish-polici, i identifikuar si Naim Brahimaj.
Në dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Brahimaj ka rrëfyer se ish-ministri Tahiri e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar ndihmë pasi i ishte prishur skafi në Greqi. Brahimaj ka thënë se e njeh Tahirin dhe është takuar me të në gusht të vitit 2014.
Dje u dha dhe një dëshmi e një oficereje policie, e cila rezulton se ka udhëtuar jashtë me Moisi Habilajn disa herë. Ajo tha se Habilaj i ka thënë se kishte mbështetje të fortë në kryeqytet, por sa herë i përmendej emri i Saimir Tahirit, ai acarohej sepse mendonte që pyetjet ishin tendencioze.
Mirëpo Tahiri mbrohet duke thënë se nuk e ka mbështetur dhe ndihmuar Mojsi Habilajn të trafikojë drogë, por edhe e ka referuar atë në prokurori dhe polici duke raportuar për dyshimet dhe informacionet që kishin mbledhur se vëllezërit Habilaj kishin mbjellë parcela me kanabis në disa fshatra të Vlorës.
Një ndër provat që përmendi avokati Haxhia, është një e-mail i Gjergji Kohilës, zyrtar të Policisë së Vlorës, dërguar prokurorit Dritan Prençi për Mojsi Habilajn.
Ky është i njëjti prokuror që sot kërkoi 12 vite burg për Tahirin që me gjykim të shkurtuar nëse do dënohet konvertohen në 8 vite. Prokurori nuk ka bërë asnjë hap dhe e ka referuar çështjen shumë muaj më vonë.
Shkresa e ish-drejtorit të Vlorës, Jaed Çelës që i kërkon policisë së Selnicës të asgjësojë parcelat me kanabis në pronësi të vëllezërve Habilaj mban datën qershor 2016, ndërsa e-maili i Kohilës, 29 prill 2017. Këto data, janë para kohës kur Mojsi Habilaj të arrestohej.