Vendosni fjalën kyçe....

Defekt i rëndë, pjesa më e madhe e Tiranës mbetet pa ujë


Problemet me ujin për Tiranën nuk kanë të sosur. Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar sot banorët e kryeqytetit, se për shkak të një defekti në Bovillë disa zona nuk do të kenë ujë.

UKT pranon se kufizimet e furnizimit me ujë do të ndihen në pjesën më të madhe të Tiranës si dhe në zonat e Yzberishtit dhe Astirit. Por edhe pse po punohet për të rregulluar defektin, ende nuk ka një orar se kur mund të kthehet uji për banorët e kryeqytetit.

“Defekt në linjën e transmetimit në Bovillë, kufizime të furnzimit me ujë në disa zona të Tiranës

Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton qytetarët se mbrëmjen e djeshme, datë 19 shtator 2019, në linjën e transmetimit që shkon nga ujëmbledhësi i Bovillës deri në Impantin e Bovillës ka ndodhur një defekt i rëndë, ku ka pasur dëmtim të tubit kryesor.

Grupet tona dhe inxhinierët tanë kanë marrë masat e nevojshme dhe po punojnë intensivisht për të riparuar në kohë sa më të shkurtër defektin e ndodhur, edhe pse kushtet atmosferike të orëve të fundit nuk kanë qenë në favor të tyre.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton qytetarët se kufizimet e furnizimit me ujë do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme në zonat që preken nga ky defekt, pasi procesi i trajtimit të ujit dhe i shpërndarjes në rrjet kërkon një kohë të caktuar.

Kufizime të furnizimit me ujë do të ndihen në pjesën më të madhe të Tiranës si dhe në zonat e Yzberishtit dhe Astirit, të cilat tashmë furnizohen me ujë direkt nga Bovilla.

Ujësjellësi Tiranë njofton qytetarët se inxhinierët dhe grupet tona po punojnë maksimalisht për kthimin sa më parë të furnizmit normal me ujë në këto zona”, njofton UKT.

Kujtojmë se gjatë muajve të verës një pjesë e mirë e banorëve të kryeqytetit kanë vuajtur nga mungesa e ujit të pijshëm. Të shumtë ishin ata që iu drejtuan ujit të shitur në autobote, por ky uji doli se ishte i infektuar. Këtë e pranoi dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të mos konsumojnë më ujin e autoboteve./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *