Pedagogu i cili u zu në kurth nga kamerat e emisionit “Stop”, do të qëndrojë 10 ditë në burg. Kjo është masa e sigurisë që ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, për pedagogun Denis Himçi, i cili u arrestua për kërkim të favoreve seksuale.
Prokuroria kishte kërkuar burgim pa afat, por gjykata i la vetëm 10 ditë kohë akuzës të vërtetojë akuzat e ngritura kundër tij.
Në videon e publikuar nga emisioni “Stop”, shfaqet një studente, të cilës nuk i jepet as emri dhe as fytyra, e cila takohet me profesorin e saj Denis Himci. Ky i fundit i kërkon studentes t’i japë një puthje, si për t’i treguar “që e ka xhan” duke i kërkuar qartazi favore në këmbim të provimeve.
Studentja nuk kishte një apo dy, por një sërë provimesh që donte të merrte brenda një jave dhe ndërsa me Himçin e “kishte zgjidhur muhabetin”, ai do ndërhynte edhe te pedagogët e tjerë për të kaluar studenten.
Pas publikimit të investigimit pedagogu u vu në pranga, por çuditërisht, ky investigim rakordonte me një fushatë të iniciuar vetëm ditë më parë nga kryeministri Rama.
Ai u kërkonte studentëve përmes një postimi në rrjetet sociale, që të spiunojnë pedagogët dhe drejtuesit e universiteteve për të luftuar korrupsionin në sistemin arsimor.
Dhe nëse studentët do e bëjnë këtë, sipas Ramës do të shpërblehen me mospagesën e tarifave dhe do të fitojnë edhe një vit bursë!