Vendosni fjalën kyçe....

Info-analizë: Pse media e fsheh implikimin e ambasadës amerikane me kanabizimin


Në seancën e 19 shtatorit kur u dha vendimi për ish-ministrin Saimir Tahiri, në gjykatë ndodheshin dhe dy zonja, të dërguara nga ambasada e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur seancën finale të procesit.

Prezenca e tyre në këtë gjyq, në dukje tregon një lloj interesimi të posaçëm të ambasadës “për drejtësinë” në këtë vend, por një retrospektivë e mënyrës si ndodhi kanabizimi i vendit, tregon se ambasada amerikane në pesë vitet e fundit ka mbështetur kanabizimin e vendit dhe ka sulmuar direkt institucionet që si rregull do të duhej ta hetonin.

Fytyra e thatë dhe e hutuar e dy zonjave dje në gjykatë, ishte ndoshta tregues i kotësisë dhe hipokrizisë së përfaqësisë së SHBA-ve në Tiranë lidhur me çështjen e kanabisit.

Saimir Tahiri ka qenë një aktor i dorës së parë në zinxhirin e përgjegjësive për kanabizimin e vendit.

Hashtag.al ka publikuar një seri shkrimesh në vitet 2016-2017 ku theksohej përgjegjësia e tij në kanabizimin e vendit, por njëherësh theksohej dhe mbrojtja që institucione të rëndësishme ndërkombëtare, përfaqësi ambasadoriale apo dhe OJF po i bënin fenomenit.

Ky shkrim s’ka për objekt një shqyrtim profesional mbi mënyrën si ndodhi procesi juridik penal ndaj Tahirit, sepse për këtë çështje është shkruar dhe komentuar pa fund.

Është rasti të trajtojmë disa përgjegjës të tjerë, edhe më të fortë se Tahiri, që nuk është se përmenden shpesh.

Saimir Tahiri që para ndërhyrjes në Lazarat në vitin 2014 ishte plotësisht i vetëdijshëm se kanabizimi ishte para së gjithash një problem ekonomik, para se të ishte një problem i kriminalitetit.

Në një intervistë të dhënë përpara ndërhyrjes në Lazarat ai e thekson në mënyrë të qartë se nuk mjafton vullneti i policisë së shtetit dhe i qeverisë, por duhej një plan dhe mbështetje më komplekse ndërkombëtare.

Ndiqni videon në vijim:

Pasi u krye ndërhyrja në Lazarat, çështja u kthye në një shfaqje perfekte mediatike, një bari dhensh nga Lazarati i quajtur Gate Mahmutaj u kthye në kokën e turkut të Tahirit, qeverisë dhe medias.

Mahmutaj kishte qëlluar me armë në drejtim të blindave të policisë, kaq mjaftoi që media ta vizatonte atë si kokën e drogës në Lazarat.

Gazetarë servilë të Tahirit dhe media nën kontrollin e Ramës, e paraqitën këtë bari dhensh si narkotrafikant ekselent, ndërsa narkotrafikantët e vërtetë të Lazaratit, ata që kishin akumuluar miliardat, ndiqnin shfaqjen e policisë në televizor duke shijuar pushimet në Barcelonë, Amsterdam e gjetkë.

Ndërhyrja në Lazarat u kthye në një farsë mashtruese, por kjo farsë ishte dhe fara që mbolli një vit më vonë një farsë edhe më të madhe:

Kanabizimin total të vendit shoqëruar me reformën në drejtësi (!)

Një paradoks i paparë, ku zyrtarët që trumpetonin reformën në drejtësi, paralelisht lejonin krijimin e plantacioneve të drogës anembanë vendit.

Në vitin 2015 nisi loja e kanabizimit total, grupet e organizuara nisën të testonin farën e re dhe ta mbillnin në fshatra.

Media asokohe ishte tërësisht e shkëputur nga ky problem. Rilindja ishte një hap para.

Në vitin 2015, një vit elektoral, Rilindja arriti të kompleksonte opozitën dhe aleatin e vet problematik LSI-në.

Ndaj Ilir Metës plasi skandali “Durim Bami”, ku kryetari i Kuvendit akuzohej nga deputeti Tom Doshi se kishte orkestruar eleminimin e tij fizik.

Ndaj Partisë Demokratike nisi procesi hetimor administrativ për çështjen CEZ dhe mënyrën si u privatizua OSHEEE.

Në qershor 2015 ishin zgjedhjet lokale, ndërsa në shtator Ilir Metës dhe LSI i vjen goditja e radhës, kësaj here nga rrjeti mediatik i Soros, ku emri i Metës aludohej në mënyrë të paqartë në dosjen korruptive  CEZ-DIA, sqarimet e mëvonshme të Metës nuk pijnë ujë, truku e kishte dhënë efektin.  

Opozita dhe LSI ishin nën shantazh permanent gjatë vitit 2015, Fondacioni Soros, Ambasada Amerikane dhe sigurisht kryeministri Rama e ministri Tahiri, hapën lojën e reformës në drejtësi.

Ndërkohë Shqipëria mbillej, mbillej pa fund me kanabis.

Mediat dhe analistët asokohe e paraqisnin ish-ambasadorin Donald Lu si të vetmen shpresë që më në fund ky vend të kishte një drejtësi të pavarur.

Edi Ramën e paraqisnin si aktorin më të pranueshëm politik për t’i dhënë viston kësaj reforme.

Përveç gazetarit Arian Çani dhe publicistit Fatos Lubonja, të gjithë analistët e tjerë të paneleve televizive, pa përjashtim të gjithë, asokohe trumpetonin ambasadorin Lu si një lloj shpëtimtari, ndërsa mistifikonin reformën në drejtësi.

Ishte një simfoni e tërë që luante muzikën e Edi Ramës, reforma në drejtësi u shndërrua në refrenin e ditës, ambasadori Lu në heroin e saj, Rama me Tahirin jepnin leksione demokracie dhe drejtësie për publikun, ndërsa pas kuintave injoronin raportet që informonin mbi kanabizimin total të vendit.

Me mbështetjen e Fondacionit Soros dhe Ambasadës Amerikane, Edi Rama arriti që për një vit e gjysmë të shmangë vëmendjen nga kanabizimi i vendit, të kompleksojë e të bllokojë rivalët politikë  të PD-së dhe LSI-së dhe të sterilizonte çdo lloj kritike televizive sa i takon kanabizimit duke e orientuar gjithë vëmendjen te reforma në drejtësi.

Aq “tabu” ishte tema e kanabisit  sa në Shtator 2016 raporti i Transparency International Albania (lexoje këtu), një organizatë e financuar direkt nga Fondacioni-Soros, e kishte përmendur veç dy herë fjalën kanabis dhe në të dyja rastet i referohej fshatit Lazarat.

Ky raport i TIA ishte tregues i qartë se sa fort ishin kompromentuar me kanabisin dhe gjasme organizatat e shoqërisë civile, të cilat e dinin shumë mirë se ç’po ndodhte, se si ishte mbjellë anembanë Shqipëria, por nuk guxonin të pipëtinin, ishin tërësisht nën hyqmën e Ambasadës Amerikane dhe Edi Ramës, e kishin lejen deri te Lazarati.

Loja filloi të ndryshonte në tetor 2016, kur autoritetet e shërbimit inteligjent gjerman (lexo këtu) dhe një segment i autoriteteve ligjzbatuese italiane nisën hetimet dhe po raportonin zyrtarisht në SHISH të dhënat e tyre mbi kanabisin që kishte pushtuar vendin.

Ky ishte momenti kur ish-ambasadori amerikan Donald Lu, thuajse i kishte shpallur luftë opozitës (lexo këtu), kishte shantazhuar në mënyrë mafioze prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla (lexo këtu) dhe ç’është më e bukura, Donald Lu, nuk foli dot asnjëherë për problemin e kanabizimit.

Nuk ka asnjë deklaratë, sikur një të vetme, nuk ekziston asnjë dalje për mediat apo njoftim zyrtar i ambasadës amerikane që i kushtohet kanabizimit total të vendit.

Madje edhe në Tetor 2017 kur hetimet italiane zbuluan se Rama dhe Tahiri i kishin shndërruar komisariatet e policisë në baza operative të karteleve të drogës, kjo ambasadë vijonte me këngën e “Escobarit të Delvinës”, Klement Balilit.

Ishte momenti kur kjo ambasadë kaloi nga niveli i implikimit në nivelin e sharlatanizmit.


E quanin “Escobar” Klement Balilin i cili dyshohej se trafikoi 613 kg kanabis në Greqi, por nuk pipëtinin për konteinerin prej 613 kg rrafsh me kokainë që u kap në Durrës dhe për të cilin u arrestuan dy adoleshentë në pubertet.

Sipas ambasadës “Escobarët” ishin ata që trafikonin kanabis dhe jo ata që trafikonin kokainë.

Nivel i llahtarshëm sharlatanizmi anglishtfolës (!)

Por ndonëse kjo ambasadë ka dalë hapur në mbrojtje të kanabizimit të vendit, sepse ka refuzuar me këmbëngulje të trajtojë këtë fenomen duke orientuar vëmendjen në gjëra të tjera; edhe kur kjo ambasadë dërgon aparatçikët e saj nëpër gjyqe si ky i Tahirit, mediat e paraqesin lajmin me pompozitet, a thua se nuk e dimë se çfarë derexheje përfaqësojnë ato dy zonjat anglishtfolëse në gjyq.

Një armatë e tërë gazetarësh dhe analistësh politikë, refuzon të trajtojë luksin dhe mburojën që kjo ambasadë i krijoi qeverisë Rama dhe ish-ministrit Tahiri me kanabizimin e vendit. Ndoshta sepse të merresh me Orest Sotën dhe me Habilajt është disi më komode, njësoj si mediat e realizmit socialist të cilat e kishin lejen të kritikonin deri aty ku thoshte partia dhe shoku Enver. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *