Vendosni fjalën kyçe....

Reagon më në fund Ambasada Amerikane: Dënimi i Tahirit dëshmon pavarësinë e gjyqësorit


Ambasada Amerikane në vendin tonë sapo ka reaguar lidhur me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas një njoftimi të ambasadës, thuhet se vendimi i gjykatës për ta shpallur Tahirin fajtor vetëm për korrupsion, dëshmon rritjen e pavarësisë së gjyqësorit nga politika.

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. 

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.”, reagon Ambasada Amerikane.

Konsulltata amerikane mbahet ndër ithtarët e Reformës në Drejtësi në vend dhe ky lloj reagimi nuk vjen aspak i papritur. 

Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.

Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *