Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të qëndrojë tre vjet në shërbim provë. Ky është vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.
Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare.
Nëse ky vendim do të mbetet në fuqi nga Apeli, Tahiri s’do bëjë asnjë ditë të vetme burg.
Ish-ministrit Tahiri do t’i duhet të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe për tre vite nuk do mbajë funksione publike.
Veprimtaria e Shërbimit të Provës është “shërbim publik që kryhet në interes të komunitetit, i cili synon rehabilitimin shoqëror të shkelësve të ligjit, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale dhe rritjen e sigurisë shoqërore.”
Nga njëra anë shërbimi i provës, u jep mundësinë autorëve të veprave penale për ri-integrim dhe rehabilitim në shoqëri të rifillojnë më shpejt jetën në komunitet ndërsa nga ana tjetër i kontrollon dhe ndëshkon autorët e veprave penale duke vepruar si mburojë për komunitetin.
Por Tahiri përsëri nuk shprehet i lumtur me vendimin, duke thënë se do ta apelojë. Ai tha se gjyqtarët më mirë ta kishin dënuar atë për trafik droge.
“Mesa kuptova, nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqenëse disa kushërinj kanë përdorur emrin tim, kam shpërdoruar detyrën. As qesh dot dhe as qaj dot. Nesër ju ftoj të ndajmë bashkë. Më duket: je i pafajshëm por nuk kemi këllqe të ta themi. Kjo është vetëm maja e betejës time. Të presim, jam kureshtar të lexoj atë që dëgjova. Gjykata tha nuk je trafikant, apo kriminel, po meqë ca kushërinj kanë përdorur emrin tënd dhe ke qenë ministër ke shpërdoruar detyrën. Do ishte më fisnike, të ishin treguar burra dhe të më dënonin për trafik. Sigurisht që do ta apeloj këtë vendim. Isha më i qartë kur hyra sesa tani që dola”, tha Tahiri.
Vendim i djeshëm i gjykatës ka sjellë reagime në radhët e opozitës. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quajti vendimin e gjykatës të turpshëm dhe shtoi se konfirmoi që kryeministri Edi Rama bëri gjithçka për të mbrojtur Tahirin pasi ai e mban peng me dosjet e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin.
Ish-kryeministri Sali Berisha shtoi se prokuroria nuk mori për bazë faktet thelbësore duke mos i trajtuar në aktakuzën e saj./Hashtag.al