I pyetur nga gazetarët për momentet e tij thuajse në lot, gjatë fjalës së tij në gjykatë, Tahiri tha se sipas tij kjo është një gjë fisnike. Por mohoi të kishte qarë.
“Njëlloj është. E njëjta gjë është. Pavarësisht se e keni kthyer në meme këtë historinë, unë besoj se është fisnkike kur qajnë burrt, por nuk kam qarë.Por me vendimin duhet ta lexoj. Duhet të shoh argumentet, pastaj të bëj atë që duhej të bëj.”, tha Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm shtoi se nuk i interesonte politika e as e ardhmja e tij në politikë, para këtij vendimi. Ai tha se i nuk do bëhej “kurban” për partinë .
“Kurioziteti im është t’i shkoj kësaj rruge deri në fund. Më dhemb më shumë historia sesa partia padiskutim. Më kemi trembur disa herë kur më keni pyetur do bëhesh kurban apo s’do bëhesh kurban. Kurban s’do të thotë të mos shkosh në burg, do të thotë të mos jesh i lirë. Mund t’jua them që ka pafund që janë kurban që s’janë të lirë të flasin edhe pse s’kanë kaluar një ditë në burg.
Ka të burgosur pa fund sot, nga ata që janë të lirë në qeverisje, ka një katalog të tërë sot. Ata janë kurban, unë jo. Dhe ju lutem shuajeni kuriozitetin tuaj lidhur me të ardhmen time në politikë, nuk kam asnjë kuriozitet sot për të shuar çfarë do të bëhet nesër. Më intereson drejtësia, pa parti, pa politikë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se sipas mendimit të tij, vendimi i gjykatës për të nuk vendos për funksionimin e Reformës në Drejtësi.