Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, i ka dhuruar 200 mijë euro për viktimat e vërshimeve të fundit në Spanjë, që e morën jetën e shtatë personave.
Kryqi i Kuq i Spanjës e konfirmoi shumën e dhuruar nga portieri spanjoll, duke e falënderuar yllin e Manchester Unitedit për zemërgjerësinë e tij dje, transmeton Gazeta Express.
Organizata e publikoi një fotografi të portierit, të cilën e ndoqi me mbishkrimin: “200 mijë për t’i mbështetur njerëzit e ndikuar nga vërshimet në Alicante dhe Murcia. David de Gea, faleminderit për solidaritetin tënd”.
Alicante dhe Murcia ishin dy provincat e ndikuara më së rëndi nga stuhia e javës së kaluar, pasi që shiu shkaktoi vërshime të mëdha dhe i la shumë zona të izoluara.
Ushtria ndihmoi në këtë situatë, duke i evakuuar mijëra njerëz nga shtëpitë e tre, pasi që lumenjtë dolën nga shtratët e tyre.
Stuhia, që në Spanjë u quajt “gota fria”, gjithashtu shkaktoi tollovi edhe në aeroporte, duke i detyruar disa aeroporte të mbyllen përkohësisht.
Shtatë njerëz e humbën jetën e tyre shkaku i stuhisë, përfshirë këtu një holandez 66-vjeçar, trupi i së cilit u dërgua në një qytet të afërt, Dolores, nga rrymat e ujit.
De Gea, 28-vjeçar, kishte lindur në Madrid, mirëpo babai i tij ka prejardhje nga një fshat i Alicantes, Redovan.